Sa është kostoja e OFL? Rovena Voda: Nuk e kemi llogaritur saktë, por besoj jo shumë e madhe

Ditën e sotem po shqyrtohet në Komisionin e Sigurisë Akti Normativ, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” ku e ftuar është zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Voda tha para deputetëve se momentalisht është në zbatim akti normativ duke iu referuar operacioneve të OFL-së, për të cilën tha se është përgjegjëse për luftimin e kriminalitetit duke shtuar se janë parashikuar tre lloj masash kundër subjekteve të këtij akti normativ.

“Akti normativ ka për qëllim marrjen e masave për luftën kundër terrorizmit, krimeve të rënda, synohet ashpërsimi ndaj grupeve dhe organizatave kriminale të përfshira në krime të rënda. Jemi në një situatë ku ka filluar zbatimi i këtij akti normativ, ka një strukturë të vecantë në Polici, OFL- ja, e cila është përgjegjëse për luftimin e kriminalitetit. janë parashikuar 3 lloj masash kundër subjekteve të këtij akti normativ, masa me karater pasuror, personal dhe ekonomik”, tha Voda.

Zv.ministrja është pyetur edhe për koston që ka zbatimi i aktit normative në fjalë si dhe nëse e ka kryer detyrën siç duhet.

Voda u përgjigj se nuk është përllogaritur ende shuma e saktë dhe përfundimtare e fondeve por që nuk besonte të ishte shumë e madhe.

Antoneta Dhima: Sa do jetë fatura financiare në zbatim të këtij akti normativ, OFL në funksion prej disa javësh, a mendoni se e ka kryer detyrën siç duhet?

Voda: OFL,  strukturë e posaçme e ngritur për një qëllim, funksioni i saj përfundon në mbarim të aktit normativ, një pjesë e mirë e punonjësve të OFL-së janë përzgjedhur nga brenda Policisë së Shtetit. Nuk është llogaritur ende saktë shuma e fondeve, por nuk besoj që është ndonjë shumë e madhe. Policia e Shtetit do të pasurohet më një flotë mjetesh të reja që do të jenë në përdorim nga punonjësit e policisë. Me këtë akt i kemi dhënë më tepër frymëmarrje Policisë për të kryer investigime në punën e saj, institucionet shtetërore duhet të japin kontribut në punën e Policisë së Shtetit.

SHKARKO APP