Sa të sigurta janë maskat artizanale?

Drejtuesit e qendrave shëndetësore konfirmojnë se përdorimi i maskave të prodhuara nga rrobaqepësitë vendase ka kosto shumë më të ulët, ndaj po aplikohet.

Gjatë një dite, kosto për blerjen e maskave njëpërdorimshme në qendrat shëndetësore llogaritet diku tek 20 000-30 000 lekë, në varësi të frekuentimit të qendrës.

Deri më tani, janë rreth 10 kompani fasonerie që prodhojnë maska për tregun europian. Një pjesë e tyre u është shpërndarë dhe spitaleve në vend. Por, megjithatë, ato nuk janë të certifikuara.

Gjergji Gjika, kreu i Unionit të Fasonistëve, deklaroi: “Janë mbi 10 kompani që aktualisht po prodhojnë maska dhe veshje të natyrave spitalore. Por, për prodhimin vendas nuk kemi kompani që prodhojnë në mënyrë të certifikuar”.

Ndërsa në Youtube, videot për prodhimin artizanal të maskave janë kthyer në trend, sa të sigurta janë ato? Të paktën ato që prodhohen në rrobaqepësitë vendase.

“Është brenda të gjitha standardeve ndërkombëtare”, thekson Gjika.

Këtë e konfirmon dhe mjeku Ylli Ziçishti, pjesë e stafit të ministres së Shëndetësisë: “Kanë të njëjtin efekt si maskat e tjera, mund të përdoren pa merak”.

Maskat e prodhuara në fasoneritë shqiptare nuk gjenden vetëm në farmaci. Në Facebook apo rrjete sociale reklamohet shitja e tyre, me kosto që varion nga 150 në 250 apo 300 lekë copa, me transport të përfshirë.

Por, a është i ekzagjeruar ky çmim në kushtet kur produkti nuk është i certifikuar? Gjika shprehet: “Kosto e fasonit është e papërfillshme, është shumë larg atyre çmimeve që shikoni në treg”.

Pas ankesave për rritje abuzive të çmimeve, prokuroria ka hapur disa hetime ndaj farmacistëve apo depove farmaceutike për tregtimin e maskave dhe dezinfektuesve.

SHKARKO APP