Sadije Agolli rrëfen kujtimet me Dritëroin në Parisin e viteve ’90
E bija e shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, iu është kthyer dorëshkrimeve të tij, pas ndarjes nga jeta.
Në një bisedë për gazetën “Shqiptarja.com”, ajo shprehet se “dorëshkrimet janë aq të shumta sa në to fshihet pjesa me e madhe e biografisë së tij”.
Edhe këtë herë, Elona Agolli ka zbuluar një pjesë kulmore të biografisë së shkrimtarit, por kujtimet janë shkruar nga dora e bashkëshortes Sadije Agolli. Kujtimet flasin për ngjarje të mëdha letrare në jetën e Dritëro Agollit.
Në Paris përkthehet dhe botohet kryevepra e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Botimi i një vepre në Perëndim ishte një ngjarje e rrallë për shkrimtarët që shkruanin brenda kampit socialist, por kur veprat bëhen universale, ashtu si dhe “Gjenerali” i Ismail Kadaresë, që u botua që në vitet ’70, edhe vepra “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” e Agollit do të shkonte shumë larg perspektivës së vendit ku jetonte.
“Jo rrallë , këto muaj që lexoj e lexoj shënime , letra , përshtypje , poezi e dorëshkrime të babit , kam ndjerë fort të më rrahë zemra e po aq herë të lotoj . Sot , datën e lindjes së mamit , Sadijes , hapa atë të voglin bllok me kapak plastik blu , i vogël sa lehtësisht mbahet në xhep , me shënime të llojllojshme , numra telefonash miqsh të huaj por edhe përshtypje udhëtimesh . Niste me shënime të babit e pas një ndërprerjeje disafaqëshe niste ditari disaditor i Sadijes.
8.6.1990 Paris . Udhëtimi që përkon me botimin e Zylos në Francë.”, rrëfen Elona Agolli. Më poshtë botohen të plota shënimet e bashkëshortes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, kur ata përballeshin për herë të parë me Parisin.
“ Kemi katër ditë në hotelin Monparnas- shkruan ajo . Hotel me 3 yje , nata 120 dollarë. Dhoma është e vogël , me minibar që nuk guxojmë ta hapim. Shoqëruesja Ana Renard na tha që bëjnë shumë shtrenjtë. Çdo gjë është e shtrenjtë. Një fustan me lule bën 110 dollarë. Rrobat e mia janë si të një fshatareje. Dhomën e kemi nga rruga me shumë zhurmë. Deri tani kemi takuar drejtoreshën e drejtorisë së kulturës në Ministrinë e jashtme , zonjën Gaudini që na dha programin.
Kemi parë muzeun Zhorzh Pompidu, një mrekulli . Shëtitëm mbi tre orë atje, pamë me qindra të rinj në bibliotekë ku lexonin, ku mësonin gjuhë të huaj , ku dëgjonin muzikë e vështronin piktura të artit modern. Në një qoshe ishte kafeneja, ku rrinin gazetarët , të rinj , ndërsa në një shesh ishin të rinj muzikantë , piktorë, që nxirrnin ndonjë lekë. Pamë edhe një ekspozitë pikture të aplikuar nga një piktor austriak , Andre Korabi .
Dje morëm pesë kopjet e Zylos . Hëngrëm një drekë me Gytin * (përkthyesi i romanit )në një restorant në periferi . Gyti prishi rreth 400 dollarë , vetëm me dy shishe verë. Sot ishim rreth 3 orë në Louvër . Pamë një pavion skulpture dhe pavionet e pikturës franceze . Drejtori i muzeut ishte shumë xhentil dhe na shoqëroi gjithë kohës. Gjithë këto ditë kam qenë e hutuar, depresive , me dhimbje . Është një botë e pakonceptueshme për ne. Në muze kishte që nga nxënësit e vegjël të shkollave që bënin me mësueset orë mësimi deri tek të moshuarit nga gjithë anët e botës. Më erdhi keq që nuk kisha marrë aparatin . Drekën e hëngrëm në një restorant , Baltimore, shumë luksoz me një kryetar komiteti të kulturës, i ri , shumë i kulturuar dhe me shumë protokoll. Ishin të ftuar Mabëno , drejtor drejtorie i botimeve , Giju, shef i redaksisë në Gallimard, Gyti dhe Ana . Giju foli shumë mirë për librin. Dritëroi nuk është çkontraktuar .
Njeriu më i çuditshëm dje në ora 4.30 ishte Zhan Didnjë. Njeri ekstremist , në një zyrë me tavolinë trekëndëshe të vënë në mes të dhomës, me libra për tokë , pa dollap , me ca poltronë të vënë pa rregull. Njeri i shpërndarë, hynte e dilte, me shprehjen “ekskyze mua”. Ju drejtua Dritëroit : Çfarë kërkoni konkretisht nga unë? Qëndruam një çerek ore dhe na përcolli deri tek dera . Ky ishte drejtori i piktorëve të Francës. Dolëm përjashta dhe qeshëm të tre me të madhe . Në Turqi ishim shumë të gëzuar, ndërsa në Paris jemi si të hutuar nga kultura e lartë. Dritëroi lexon Zylon në frëngjisht, ndërsa unë shoh filma pambarim në 6 kanalet franceze . Do të shkojmë të shohim një balet modern dhe një shfaqje teatri në Komedinë franceze .
Ditët janë të ftohta , me shi dhe me erë, si në vjeshtë. Më shumë është moda e pantallonave të zeza, e minifundeve dhe e fustaneve me lule , të mëndafshta. Shumë makina, rruga tundet nga ato . Në kafene nuk mund të ulesh po nuk harxhove. Francezët nuk të qerasin . Në asnjë zyrë nuk nxorën kafe . Takimet i masin me minuta . Njeriu mund të mësojë për kursim ore kudo , në hotel, në Ministri , në rrugë , në kafene.
11.6.1990
Kaluam shumë mirë. Vizita në Versajë një mrekulli . Në këto kohë një nga drekat më të bukura është me Anë Barlukë, në një restorant ku kanë ngrenë Pikaso , Heminguej, Verlen e artistë të tjerë. Është një grua shumë romantike . Më tha çfarë të të ble për fëmijët.
Një kostum blu xhinsi për Lonën 40 dollarë, pastaj bleva gjëra të vogla. Për vete vetëm një teiko blu me të bardhë dhe një bluzë.
Shëtitëm me Anën në Pallatin Royal , tek Monumenti i Molierit , tek qendra Defense , me pallate moderne dhe shatërvanë, me skulptura moderne . Ishim ne Monmartrë ku pikturonin piktorēt. Pamë Pyllin e Bolonjës, ku qëndronin prostitutat . Neser jemi në baletin modern .
13.6.1990
Sot dhe nesër janë ditët më të ngarkuara me gazetarë dhe fotografë të Gallimardit. Dreka është me Antuan Galimardin. Jam ulur në një poltron të studios së Galimardit . Dritëroi me Anën hynë në studio për foto . Sot kam emocione si asnjëherë. Bëhen foto të mëdha. Dritëroi është pak i kontraktuar megjithëse përpiqet të jetë i qetë. Ishim në shtëpinë e Hygoit. Bëmë ca fotografi . Mendoj në këto çaste për Elonën që po të ishte në Francë do të ishte njëlloj si unë. Hyjnë e dalin njerëz . Unë i kam mendimet shumë të shpërndara. Dritëroi i shkretë që do t’u përgjigjet gjithë këtyre gazetarëve, që i kanë vënë në plan . Janë ditët më të sikletshme .
Shoh fotografitë e mëdha të disa shkrimtarëve të botuar . Po të ketë sukses dhe fotografia e tij do të vihet krahas të tjerëve . Alen Boskeja foli shumë mirë Është nga librat më të mirë që kam lexuar – tha ai .” Këto janë disa shënime të Sadijes, shënime që dëshmojnë shumëçka e dëftojnë të thëna e të pathëna për kohën , për raportet me të panjohurën botë të Perëndimit , për marrëdhëniet mes njerëzish me stil jetese e mënyrë të menduari kryekëput të ndryshëm nga ai i prindërve tanë. E megjithatë , fisnikë e plot vlera.