Safet Gjici del në gjyq më 14 korrik

Ish-kreu i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i arrestuar për akuzën e korrupsionit pasiv, do të dalë përpara Gjykatës së Apelit të Posaçëm më datë 14 Korrik, ora 11:00.

Shorti ka caktuar gjyqtaren Saida Dollani për të shqyrtuar ankimimin e Gjicit për një masë më të lehtë sigurie. Ai ankimoi masën e “arrestit me burg” nëpërmjet avokatit të tij, me argumentin se tenderi që flitet në video nuk është shpallur asnjëherë nga bashkia e Kukësit dhe se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit.

Safet Gjici u arrestua më 24 qershor. Kurse më 16 qershor, Gjici u shfaq në një video të publikuar online duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Më vonë, u publikua një tjetër fragment i asaj videoje ku Gjici diskutonte me vajzën në fjalë për mundësinë e akordimit të saj të një tenderi për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Kukësit.

SHKARKO APP