Safet Gjici për Kukësin: Qytetarët duan njerëzit e punës, jo kandidatët e importuar

Një kontratë për qytetarët e Kukësit, kjo është ajo çka kryebashkiaku Safet Gjici ofron në kërkim të votës së tyre për një mandat të ri në krye të qytetit verilindor. Kandidati socialist bën një prezantim të premtimeve të realizuar dhe listoi programin ku do të bazohet për 4 vitet e ardhshme.

“Kemi përgatitur kontratën tonë me banorët e Kukësit për të përmirësuar jetën e qytetarëve të bashkisë. Këtë kontratë e ka çdo qytetar në shtëpi. Sot të gjitha premtimet i kemi mbajtur dhe kemi bërë më shumë. Në Kukës kërkohen rrugë, investime në çerdhe, shkolla, rrugë. Qytetarët kuksianë e prekin ndryshimin, qoftë në pastrim, në investime. Aeroporti do t’i sjellë një zhvillim makro të gjithë qytetarëve. Efektet e aeroportit po ndjehen, por për 2-3 vite aeroporti do ketë ndikim direkt në xhepat e qytetarëve”, tha Gjici për ”A2cnn”.

Në lidhje me një nga plagët e shoqërisë shqiptare, e cila është ajo e largimit të të rinjve, Gjeci u shpreh se në Kukës nuk ka një shpopullim, por thjesht një emigracion të shtuar. Ai u angazhua për investime edhe në zonat më të thella për të përmirësuar jetesën e qytetarëve, teksa foli dhe për programin e qeverisë britanike, i cili aktualisht ka punësuar sipas kryebashkiakut mbi 100 të rinj.

“Shpopullimi është një fjalë e rëndë dhe nuk është në Kukës. Emigracion ka pasur dhe do të ketë. Por ne do të vazhdojmë me investime dhe njerëzit janë të lirë për të vendosur. Ne kemi vizion dhe për ta çuar bashkinë te qytetari dhe jo si ishte 20 vite më parë nga PD. Investimet do të vijojnë dhe në zonat më të thella. Ne dimë të punojmë dhe të thithim investimet. Programi i qeverisë britanike për të mbajtur qytetarët në Kukës është rreth 9 milionë euro dhe deri në këto momente janë punësuar mbi 100 persona. Do të hapim shkolla profesionale pasi janë shumë të nevojshme për Kukësin. Ky është një projekt i leverdishëm dhe synon të punësojë deri në 3000 persona në 2-3 vite”, shtoi Gjici.

Në lidhje me kandidatin rival, Safet Gjici deklaroi se kuksianët nuk pranojnë më njerëz të importuar nga Tirana që nuk jetojnë në qytet dhe nuk njohin problemet e tij, ndërsa e thumboi atë duke thënë se bën premtime të parealizueshme.

“Kandidati i opozitës është jashtë realitetit, nuk ka program, bën premtimet që nuk mund të bëhen. Premtimet e tij nuk i beson asnjë fëmijë. Kuksianët nuk do të shkojnë më mish për top. Raportet në SPAK për Gërcedin, Sinamati i ka mbi shpinë, ne i dimë, Shqipëria është e vogël. Kuksianët kanë parë ndryshime të mëdha, ne jemi njerëz të punës”, përfundoi kryebashkiaku aktual, teksa u shpreh i sigurt në fitoren e 14 majit.

SHKARKO APP