Saga e vrasjeve në Rrëshen, thirrja e dëshpëruar e dom Gjergj Metës: Mjaft më me vrasje, do të jepni llogari një ditë…

Vrasja e djeshme e Anton Kelit, e cila deri me tani konsiderohet si seri e radhës e sagës së hakmarrjeve mes fiseve Gjini dhe Reçi ka tronditur sërish zonën e Mirditës.

Në një reagim publik dom Gjergj Meta ka bërë thirrje që të ndalen vrasjet e që mëkatarët të pendohen sepse një ditë do të japin llogari dhe nëse i shpëtojnë drejtësisë njerëzore. Meta nuk ka ngurruar dhe të fshjikullojë policinë dhe drejtësinë në vend pasi shumë prej vrasjeve mes fiseve nuk janë zbardhur dhe kanë mbetur pa autor.

Reagimi i plotë:

MJAFT MË ME VRASJE!
Qyteti jonë, Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor apo me autor në drejtim të paditur. Për fat të keq, na janë bërë të shumta drejtimet e paditura, në një sistem drejtësie ende larg atij të një vendi normal evropian.

Janë të tepërta këto pesha që po i ngarkohen shpesh qytetit tonë të vogël, këto kohët e fundit.
Kushdo që merr jetën e një njeriu ta dijë se një ditë do të japë llogari. Mund t’i fshihet drejtësisë së njerëzve, mund të humbasë gjurmët, por nuk i fshihet dot gjykimit të Zotit e as gjykimit të ndërgjegjes së vet.

Nuk kam fjalë tjetër për ata që kanë gisht në këto punë përveçse: Pendohuni! Kthehuni kah Zoti! Lërjani Zotit gjykimin. Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën.

Nuk do t’i shpëtojë dot askush atij gjykimi. Sa jeni gjallë keni kohë të silleni kah e mira, kah falja dhe paqja.

Lum ata që duan paqen dhe urrejnë të keqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
Mjaft më me vrasje! Mjaft!
dom Gjergj Meta

SHKARKO APP