Saimir Tahiri, jo më i dënuar por i pandehur
Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga sot nuk është më i dënuar por i pandehur. Gjykata e Apelit ka rrëzuar dënimin e Shkallës së Parë dhe rikthen çështjen për gjykim. Trupa gjykuese u shpreh se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri, duke kërkuar rigjykimin e dosjes nga e para. Vendimi i Shkallës së Parë që dënoi ish-ministrin e Brendshëm me 3 vite shërbim prove është rrëzuar tashmë dhe ai do të nisë betejën nga fillimi me drejtësinë.
Tahiri u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj” ndërsa që në fillim ai pretendoi pafajësi duke e quajtur një proces farsë me prova të montuara.
Në shtator të vitit të kaluar ish-Prokuroria e Krimeve kërkoi dënimin e tij me 12 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar shkonte 8 vite, por gjykata e dënoi Tahirin me 3 vite burg me shërbim prove.
Të dy palët nuk u kënaqën duke e apeluar vendimin, prokuroria që nuk tërhiqet nga kërkesa për dënimin e tij me 12 vite, ndërsa ish-ministri kërkon pafajësi të plotë. Në seancë për herë të parë pas vetëdorëzimit ishte i pranishëm edhe Jaeld Çela.