Sali Berisha “mposht” Ramën dhe Bashën në Facebook

Ish-kryeministri Sali Berisha është politikani më aktiv në Facebook për momentin, duke publikuar 34 postime dhe duke marrë mbi 275 mijë reagime nga njerëzit gjatë javës së fundit. Të dhënat janë grumbulluar nga agjencia këshillimore “Terra”, ndërsa studimi është kryer në dy periudha; 13-19 dhjetor dhe 20-26 dhjetor. Analiza është bërë duke analizuar numrin e reagimeve, postimeve dhe KUP (Kilo user/ post=Totali i reagimit në postim) që secili politikan përfaqëson.

Berisha i cili ka një numër më të vogël pëlqimesh në faqen e tij se sa kryeministri Edi Rama, ka shpërndarë në javën e fundit pesë postime më pak se Rama, por ka marrë më shumë reagime se ai. Lulzim Basha, i cili ka një faqe me 657 mijë like, pati 16 postime në javën e fundit dhe mori 38 mijë reagime.

Edi Rama i cili është prej kohësh shumë aktiv në Facebook, pati 39 postime në javën e fundit dhe mori 271 mijë reagime, duke shënuar një diferencë shumë të vogël me rivalin e tij historike në rrjetet sociale, ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në vendin e tretë është radhitur kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Në javën e fundit ai ka postuar 53 postime dhe ka marrë 42 mijë reagime. Lulzim Basha, kreu i demokratëve, i cili është më pak aktivi në rrjetet sociale renditet në vend të katërt. Kryedemokrati pasohet nga ish-kreu i rinisë demokrate, Belind Këlliçi i cili është gjithashtu shumë aktiv në faqen e tij në Facebook ku ka 49 mijë pëlqime. Ai shpërndau vetëm 10 postime gjatë javës së fundit dhe mori 31 mijë reagime.

SHKARKO APP