Salianji akuza ndaj Berishës: “Më tha se i ka detyrim Ramës të qëndrojë në pushtet deri në 2033”
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë deklarata të forta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania.
Salianji zbuloi detaje nga një takim që, sipas tij, ka zhvilluar me Berishën pasi kishte dalë me leje nga burgu. Ai theksoi se kishte marrë leje në muajin maj, me vonesë, pasi sipas tij duhej të kishte dalë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Në deklaratën e tij, Salianji pretendoi se gjatë bisedës, Berisha i ka thënë se lirimi i tij nga arresti në shtëpi kishte ardhur si rezultat i një marrëveshjeje të nënkuptuar politike.
“Berisha më tha që i kam një detyrim Edi Ramës, që të rrijë në pushtet deri në vitin 2033, sepse këtë ma kërkuan në momentin që më nxorën nga arresti shtëpiak”, u shpreh Salianji.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë ndodhet nën ndikimin e qeverisë dhe vendimet janë marrë në funksion të interesave politike. Ai deklaroi se Berisha u lirua nga masa e arrestit në shtëpi pak muaj para zgjedhjeve, ndërsa vetë ai u mbajt në burg dhe nuk u lejua të kandidojë.
“Zotin Berisha e liruan para zgjedhjeve, ndërsa mua më mbajtën në burg dhe nuk më lanë të kandidoj, sepse aty ku kam kandiduar kam fituar”, tha Salianji.
Ai shtoi se, nëse situata vazhdon dhe sipas tij “trillimet” vijojnë, është i gatshëm të bëjë publike edhe detaje të tjera, duke lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime të mëtejshme në këtë debat.
Deklaratat e Salianjit pritet të sjellin reagime në skenën politike, ndërsa deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e Sali Berisha lidhur me këto akuza.
KOHA JONË SONDAZH

