Salianji kandidim për drejtimin e PD, analisti Mërtiri: Ka një rrugë, problemi në parti Berisha
Analisti Ergys Mërtiri thotë se fokusi kryesor i Sali Berishës nuk është përballja me Ramën, por ruajtja e kontrollit mbi Partinë Demokratike. Sipas tij, Berisha po vepron në mënyrë të tillë që të eliminojë çdo rival të brendshëm dhe të mos lejojë ngritjen e alternativave të reja brenda opozitës.
Mërtiri theksoi se kjo qasje e ka izoluar Berishën dhe ka penguar zhvillimin normal të një opozite konkurruese. Ai shtoi se çdo figurë që tenton të krijojë hapësirë politike për ndryshim përballet me presion, pasi Berisha synon të mbajë të gjithë strukturën e partisë nën kontroll.
Duke u ndalur te rasti i Ervin Salianjit, analisti u shpreh se ai ka treguar vendosmëri për të vazhduar betejën e tij politike. Megjithatë, nëse Salianji përjashtohet nga partia, kjo mund të përshkallëzojë përçarjen e brendshme dhe madje të çojë në krijimin e një force të re politike që do të përfaqësonte elektoratin e pakënaqur.
Sipas Mërtirit, problemi kryesor i Partisë Demokratike nuk lidhet vetëm me individët që sfidojnë Berishën, por me vetë drejtimin e tij. Ai argumenton se brenda partisë ekzistojnë dy grupe: mbështetësit e vendosur të Berishës dhe një pjesë tjetër që beson se me të në krye nuk ka të ardhme politike dhe kërkon ndryshim.
Në përfundim, analisti paralajmëroi se pas zgjedhjeve nuk pritet një valë e re protestash nga Partia Demokratike, pasi mbështetësit e saj janë të lodhur nga situata aktuale politike dhe mungesa e perspektivës për ndryshim.
KOHA JONË SONDAZH

