Salianji: PS përdor numrin e kartës së identitetit për të manipuluar listat e votimit
Në lidhje “Skype” në “Çim Peka Live”, kandidati i PD-së në Korçë, Ervin Salianji, akuzoi Partinë Socialiste se përdor të dhënat personale të qytetarëve për të manipuluar listat e zgjedhjeve.
Gjithashtu Salianji theksoi se përderisa SPAK ka nisur një hetim për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve, ka vepër penale.
“Fakti që publikimi i të dhënave personale po hetohet nga SPAK, ka vepër penale. Kallëzimi është bërë dhe po tentohet për të shmangur një skandal të madh. Janë disa vepra penale për të cilat akuzohen ata që po shpërdorojnë të dhënat personale.
Po diskutojmë për rastin konkret. Partitë politike skanë mundësi të kenë të dhënat personale të qytetarëve. Numri personal është një nga të dhënat që mbrohet më shumë, pasi mund të përdoret për shumë veprime, madje deri edhe për vjedhjen e parave në bankë.
Partia Socialiste e përdor për vende pune. Mbledh kartat e identitetit, për t’i kontrolluar partia njerëzit. PS ka përdorur numrin e kartës së identitetit për të manipuluar listat e votimit në ditën e zgjedhjeve. Kjo përbën krim elektoral.
Këta të PS merren me faktin se kush i denoncon, jo me shkeljen e publikimit të të dhënave personale”, tha Salianji.