Salianji reagon për shembjet dhe bllokimin e rrugëve: Problem është korrupsioni në çdo stinë dhe jo moti
Deputeti i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, ka reaguar për situatën e rënduar të qarkullimit në juglindje të vendit, duke akuzuar qeverinë për dështim dhe korrupsion në ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Përmes një postimi publik, Salianji deklaroi se bllokimet e përsëritura në akset kombëtare nuk lidhen me kushtet atmosferike, por me abuzimet dhe keqmenaxhimin e investimeve.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
“Në shi rrëshqet mali dhe bllokohet. Në borë e bllokon ngrica. Në diell shpërbëhet betoni. Pra, problemi nuk është moti.
Problemi është korrupsioni në çdo stinë.
Akset kombëtare që lidhin juglindjen janë sot dëshmia më e qartë e dështimit dhe vjedhjes.
Rruga Librazhd–Prrenjas është simbol i standardit mizerabël të qeverisjes së Edi Ramës.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, pas 13 vitesh dhe mbi 300 milionë eurosh, ende nuk është e aksesueshme. Paratë u shtuan për fushatë, jo për standard. Rruga Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh u ngushtua dhe iu ndryshua projekti për të favorizuar interesa të lidhura me Devoll Hydropoëer, jo për t’i shërbyer qytetarëve.
Sot, të gjitha janë të bllokuara dhe për asnjërën nuk ka asnjë përgjegjës.
Kjo është braktisje dhe shpërdorim detyre më e pakta!
Është braktisje e qytetarëve të juglindjes.
Është rrezikim i jetës së çdo udhëtari.
Një zonë e tërë është e izoluar, jo nga natyra por nga korrupsioni dhe babëzia.
Në çdo vend me standard europian, një qeveri do të kishte dhënë dorëheqjen.
Në Shqipëri, kjo qeveri duhet larguar!”.
KOHA JONË SONDAZH

