
Kryeministri britanik Andy Burnham dhe liderët e Bashkimit Europian takohen të premten në Bruksel në një samit që, sipas një drafti të rrjedhur të konkluzioneve, mund të shënojë largimin më të madh politik nga epoka e Brexit-it, dhjetë vjet pas referendumit që i ndau palët. Burnham, i cili që nga marrja e detyrës në korrik e ka bërë prioritet politik rindërtimin e marrëdhënieve me Europën, e ka kritikuar hapur Brexit-in.
Ai e ka quajtur marrëdhënien aktuale me BE-në “jo mjaftueshëm të mirë” dhe ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në bllok. Ky samit BE–MB pritet të sjellë një paketë të gjerë marrëveshjesh mes palëve, sipas dokumentit të parë nga Euronews, i shpërndarë qeverive europiane të martën në mbrëmje.
Brukseli dhe Londra pritet të prezantojnë marrëveshje për tregtinë, bashkëpunimin industrial për mbrojtjen, standardet agro-ushqimore, skemën rinore, sigurinë ekonomike dhe aksesin në tregun e energjisë elektrike të BE-së. Drafti përmend edhe presionin në rritje mbi Europën për të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë e vet dhe për të rritur konkurrueshmërinë ekonomike.
Po ashtu, ai vë në dukje domosdoshmërinë politike në të dy anët e Kanalit për t’i lënë pas vite acarimi. Megjithatë, dokumenti zbulon edhe kufijtë e këtij afrimi, me negociatorët që vazhdojnë të përpiqen për disa çështje të ndjeshme politike vetëm disa ditë para samitit.
