Samiti i Diasporës, ministrja Koçiu premton bashkëpunim me mjekët e diasporës për ofrimin e standardeve evropiane

Samitit i III-të i Diasporës që po mbahet në Tiranë, ka bërë bashkë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, si nga Kosova, Spanja, SHBA-të, Holanda, Italia, Anglia dhe Greqia për të diskutuar dhe shkëmbyer eksperienca për rolin e mjekut, zhvillimi teknologjik në fushën e shëndetësisë dhe inovacioni shëndetësor.

Në Panelin e Ministrisë së Shëndetësi dhe Mbrojtjes Sociale, “Shkëmbimi i eksperiencës, kontributi dhe roli i mjekëve nga Diaspora në Shqipëri”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideroi të rëndësishme mbajtjen e këtij Samiti. Koçiu theksoi se ky potencial i jashtëzakonshëm mund të shndërrohet në një urë lidhëse mes mjekëve që jetojnë jashtë dhe atyre që jetojnë e punojnë në Shqipëri, siç është turizmi shëndetësor.

“Që prej pandemisë e cila ishte një nga sfidat që vuri sistemin shëndetësor në një sfidë të jashtëzakonshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, numri i turistëve që vijnë në Shqipëri për turizëm shëndetësor është dyfishuar çdo vit. Shfrytëzimi i potencialeve të turizmit mjekësor nuk është vetëm një fjalë, por objektiv i lindur nga nevoja e kohës dhe e zhvilluar në një strategji të mirëfilltë pjesë e programit madhor të qeverisë shqiptare për Diasporën 2021-2025”, nënvizoi Koçiu.

Ajo vuri në dukje se një ndër objektivat kyç të strategjisë për shëndetësinë është rritja e autonomisë spitalore ku në Shqipëri është duke u zhvilluar vetëm prej pak vitesh.

“Zgjerimi i autonomisë spitalore për ne mendoj që do të krijojë hapësira të reja dhe të natyrshme për të gjithë mjekët kudo punojnë e kudo jetojnë. Shembulli i mirë në rastin e Shqipërisë është ai i Spitalit Rajonal Memorial të Fierit i cili ka filluar të aplikojë autonominë spitalore dhe është një program, një projekt të cilin ne synojmë që ta shtrijmë në të gjitha spitalet tona. Modeli i zbatuar atje, ai i një menaxhimi të pavarur nga stafi i mjekëve dhe vizitues turq dhe stafi mjekëve rezident vendas, ka vendosur një gur themeli të ndryshëm dhe një mendësi e një qasje të re të menaxhimit të spitaleve shqiptare”, deklaroi ministrja.

SHKARKO APP