Sanitarja e pediatrisë së Korçës shtrohet tek Infektivi, stafi në karantinë
Një pjesë e stafit të pediatrisë në Korçë është futur në karantinë. Shkak për këtë izolim, është bërë infektimi i një sanitareje, e cila ka rezultuar pozitive. Sanitarja që punonte në pediatrinë në Korçë ndodhet e intubuar në spitalin Infektiv në Tiranë.
Ajo dyshohet se virusin e mori nga bashkëshorti që punonte mekanik në një fasoneri. Bëhet me dije se disa infermierë, të puënsuar pranë urgjencës së spitalit të Korçës, janë karantinuar, pasi prej ditësh kanë shfaqur simptoma të Covid-19. Që prej fillimit të pandemisë, Korça numëron 174 të infektuar aktivë dhe 10 viktima.
Numri i viktimave nga Covid-19 në Shqipëri ka shkuar në 250. Gjatë 24 orëve të fundit humbën betejën me koronavirusin edhe pesë pacientë të tjerë, ndërkohë që u konfirmuan 152 raste të reja.
Në vendin tonë janë 3845 të infektuar, ndërsa 4332 të tjerë janë shëruar. Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 148 pacientë të konfirmuar pozitivë, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.