Sardi Strugaj dhe ëndrrat e tij të çmendura

-Këngëtari i njohur rrëfen eksperiencën e tij në Festivalin e fundvitit si fitues i çmimit të dytë, suksesin e këngës, “Sytë” dhe projektet e së ardhmes-

Intervistoi: Albina Gjergji

Kanë kaluar thuajse 10 vite që nga koha kur është ngjitur në skenë për herë të parë si finalist i konkursit muzikor, “X Factor Albania”. E që nga ajo kohë, deri më sot shkallët e suksesit për këngëtarin Sardi Strugaj janë ngjitur me hapa të matur e të sigurtë. I njohur për zërin e veçantë dhe performancat kreative, Sardi tashmë është padyshim një nga artistët më të mirë të muzikës shqiptare. Në këtë përfundim duket se ka dalë edhe juria e Festivalit të fundvitit në RTSH, e cila në edicionin e fundit të saj e vlerësoi me çmimin e dytë performancën, “Ka me t’ba me kajt”. Kohët e fundit Sardi ka hedhur në treg edhe një tjetër këngë mjaft të bukur. E titulluar, “Sytë” kjo këngë ka marrë një jehonë të madhe, duke u dëgjuar në cdo lokal a makinë. Fabula e saj është konsideruar gjithashtu mjaft e gjetur, e cila në videoklip është interpretuar nga Iden dhe Ditmari, dy artistë të njohur shkodranë. Por teksa publiku vazhdon shijon këto prodhime të Sardit, vetë ky i fundit na tregon se po punon për këngën e radhës. Konkretisht me detaje na i zbulon në bisedën e mëposhtme. 

Që nga koha e “X Factor Albania” po bëhen thuajse 10 vite që merreni me muzikë Sardi. Mund të na flisni pak për jetën tuaj profesionale gjatë kësaj kohe? Sa prodhimtare, apo kualitative ka qenë ajo?

“X Factor Albania” u bë trampolina drejt famës dhe suksesit në fillimet e karrierës sime. Për këtë do e mbaj mend gjithmonë si periudhë të bukur dhe shumë të sinqertë. Por vazhdimi i karrieres nuk mund të ishte aq i thjeshtë sa fillimi. Vështirësitë e para i hasa në momentin që më duhej të menaxhoja profesionalisht dhe personalisht famën. Them personalisht, sepse ka ndikim të madh fama e shpejtë dhe e madhe në një moshë të vogël (siç isha në atë kohë). E profesionalisht m’u desh të gaboja shumë, të përplasesha sa andej-këndej për të zbuluar veten me ritme të përshpejtuara. Në momentin që pëson atë rënien nga piedestali i famës, fillon kupton pak nga pak se kush je, cilat janë synimet dhe i futesh punës për t’i arritur. Për mua është dashur një periudhë e gjatë për t’u shkëputur nga iluzioni se, “tani jam i famshëm dhe ia dola”. 

Jeni cilësuar nga publiku si një nga zërat më brilant të muzikës shqiptare, si ju bën të ndjeheni ky fakt?

E kam vlerësuar gjithmonë, e padiskutim më ka bërë të ndjehem shumë mirë. Mbi të gjitha ajo që mendoj, është se talenti dhe veçantia që dikush ka, është tregues se mund të zërë një vend në zemrën e publikut. Por kryesorja është puna, krijimtaria qe ti i sjell këtij publiku. Puna ime është drejt kësaj që sapo thashë. Të kem punë të mira dhe kreative.

Keni publikuar disa këngë deri tani, por ajo që është komentuar më së shumti pozitivisht mbetet pjesëmarrësja e Festivalit të fundvitit që lamë pas, ku ju u shpallët fitues i vendit të dytë. Na tregoni dicka më shumë për “Ka me t’ba me kajtë”?

Unë e cilësoj si momentin më të bukur të 2020 për mua. Kalova një periudhë shumë të mirë gjatë dy muajve të funditvitit, me të gjitha përgatitjet dhe në fund sigurisht edhe çmimi që mora më dha një ndjesi shumë të mirë, një dritë jeshile për të vazhduar dhe më tej me projekte që më frymëzojnë mua, dhe mesa duket edhe publiku po e pret mirë. 

“Performancë shumë interesante. Ngjirjet e zërit janë aty ku duhen dhe harmonia disonante përzierë me konsonanten është gjetje. Këngëtari nuk sforcohet me thënë mesazhin e tij. Ka shumë emocion. Për mua, tepër e veçantë. Bravo djali”, kështu është shprehur këngëtari dhe kantautori i mirënjohur Elton Deda për ju? Ju vetë çfarë mendoni se e bën të veçantë këngën e Festivalit të RTSH?

U surprizova nga fjalët e Eltonit, sepse të jem i sinqertë nuk e mendoja se do kisha kaq vlerësim të madh nga kritikë të mëdhenj të muzikës sonë. Mendoj se solla një material që ishte i vërtetë. Fillova punën shumë muaj përpara festivalit dhe u mundova ta sjell me sa më shumë cilësi. Për mua FIK është një eveniment i rëndësishëm i muzikës, jo thjesht një mundësi për t’u shfaqur në skenë, apo për tetë  pretenduar çmimin e parë, që merr dhe të drejtën e përfaqësimit në Eurosong. Jo… për mua është eveniment ku patjetër që synohet sa më lart, por kryesorja është kënga dhe mënyra se si e sjell, në çdo aspekt të saj. Besoj se, përkushtimi që tregova, u përcoll edhe te publiku dhe vlerësuesit e artit. Kjo mbase bëri diferencën.

Bashkëpunëtorët e këngës dhe si lindi ideja e një teksti të tillë?

Edesa Malçi, ose siç ka emrin e artit, Edessa më solli një natë një version demo të këngës, që më ngjiti shumë dhe mbaj mend që nuk kam vonuar shumë dhe shkruajta tekstin dhe vijën melodike. E imagjinova menjëherë këtë këngë në skenë, me interpretim dhe të kuruar në detaje. E kështu nisëm përgatitjen afër 9 muaj përpara festivalit, për këngën që do merrte vendin e dytë në festival, por thjeshtësia jone nuk e çonte në mendje se do vlerësohej kështu. Kënga është regjistruar në studion ku unë jam pjesë, “Undefined Ent.” dhe faza finale u bë në Suedi per t’i  hënë energjinë dhe kualitetin e duhur. Ishte bashkëpunim shumë i mirë, që vjen si pasojë e kimisë që kemi në studion tonë.

Duket se jeni shumë i dhënë pas baladave, është e vërtetë? Pse?

Jam i dhënë pas muzikës se mirë. Baladat jane hapësira ime për të shprehur pjesë të shpirtit tim. Por çdo këngë që është e bukur, që i përshtatet shijeve të mia më pëlqen.

Para pak kohësh keni hedhur në tregun muzikor një tjetër këngë mjaft të bukur, të titulluar “Sytë”? Si është pritur nga publiku?

“Sytë” u lançua në treg ditet e fundit të dhjetorit. Projektin e realizuam bashkë me Eugenin që është dhe producent i këngës. Si dhe Lorenc Aliaj që u përkujdes për anën teknike të këngës siç është mix dhe masteri. Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm dhe shumë shpejt u bë e preferuar në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Vërtetë e kam dashur shumë si këngë që në fillimet e saj, por ishte surprizuese të dëgjoje këngën tënde të luhej në çdo lokal ku kalon, apo ulesh. Ndjesia është shumë e bukur. (Sidomos kur shumica e njerëzve nuk e dinë që jam unë ai që e këndon).

Me një klip, fabul dhe interpretim mjaft interesant, si erdhi tek ju bashkëpunimi me aktorët e videos?

Historia e videos është e preferuara ime. Me Idenin (vajzën që është në video) kam pasur kontakt për herë të parë dhe të fundit menjëherë pas përfundimit të X Factor. Në atë kohë Ideni më bëri fotot e para profesionale dhe kush e mendonte se një ditë do bëhej pjesë e videos për një nga këngët e mia. U takova pas shumë vitesh me Idenin, pasi i kisha parë në një video që kishin postuar, së bashku me bashkëshortin e saj, Ditmirin. U tregova idenë që kisha për videon si dhe këngën. U dashuruan me këngën dhe konceptin menjëherë. E pranuan me kënaqësi dhe e vetmja gjë që u kërkova të bëjnë në video ishte të jenë vetvetja. Kështu, do transmetohej kimia që ata të dy kanë dhe video do dilte shumë e bukur dhe pozitive. Dhe kështu doli. Jam vërtetë i lumtur që Ideni dhe Ditmiri u bënë pjesë e videos të këngës, “Sytë”.

Po punoni për ndonjë këngë të re? Çfarë zhanri? Na tregoni ndonjë të re?

Po punoj për diçka që shumë shpejt (me zor po pres) do e publikoj për të gjithë publikun. Kënga është dance/pop dhe është një bashkëpunim mes meje dhe Arnon. Teksti është shkruajtur nga Killua. Ky kombinim nuk është për herë të parë, dhe na ka shkuar mirë deri tani, kështu që, pse jo… të rikthehemi edhe njëherë fuqishëm.

Ç’mendim keni në përgjithësi për tregun aktual muzikor Sardi? Si i shikoni gjithë këto prurje këngësh, këngëtarësh, klipesh? 

Tregu aktual tek ne është në krizë. S’dua të tregohem i ashpër, por prej kohësh nuk po bëhet përpjekje nga artistët që të dalin nga kjo krizë. Kemi talenta dhe mundësi për të kapur hapin e botës, por të jemi njëkohësisht origjinalë. Mendoj se edhe publiku tashmë e ka kuptuar që ka ardhur koha për të ndryshuar mendimin që kemi në lidhje me muzikën që promovohet. Sigurisht kjo është e përgjithshme dhe nuk i fus të gjithë artistët në këtë. E bukura është që brezi i ri i dëgjuesve janë intolerantë ndaj këngëve që nuk kane risi ose kualitet. Kjo do sjellë ndryshim dhe tek artistët. 

Ambiciet tuaja deri ku shkojnë? Ku e shikoni veten në ardhmen?

Vazhdojnë ëndrrat e çmendura, kështu që nuk mund t’jua them të gjitha se, mbase do më mendoni të çmendur edhe mua. Uroj që të vazhdoj kështu siç kam nisur, sepse po krijoj një strukturë të fortë dhe një publik besnik. Kjo është shumë e rëndësishme për synimin që kam për të ardhmen. 

Përvec muzikës, që duket se eshte ushqim për shpirtin tuaj, me se merreni përtej saj?

Siç ju thashë, prej 4 vitesh jam pjesë e studios produksionale “Undefined ent.” dhe aty kaloj pjesën më të madhe të kohës time. Aty lindin të gjitha projektet që unë publikoj. Sigurisht është një punë që nuk mund të bëhet pa një përkushtim të madh të secilit pjesëtar të studios. Gjithashtu provat me grupin tim të ri janë të përjavshme. Përtej këtyre mundohem të aktivizoj veten me aktivitet fizik. Pa harruar ndonjëherë udhëtimet brenda Shqipërisë, që 2020 përveç anëve negative solli dhe këtë si pozitive, pra eksplorimin e vendit tonë.

SHKARKO APP