Sazani vijon të digjet prej më shumë se 48 orësh

Prej 48 orësh zjarri ka vijuar të djegë çfarë ka gjetur përpara në pjesën lindore të ishullit të Sazanit në Vlorë. I favorizuar nga era si dhe nga bimësia e tharë, vatra e zjarrit nuk po njeh ndalim në orët e fundit. Përpjekjet e forcave zjarrfikëse të Vlorës atyre të ushtrisë dhe policisë, duket se nuk po arrijnë të vënë nën kontroll flakët.

Efektivët në terren përpiqen me mjete manuale dhe rrethanore të kufizojnë sa të mundin vatrën e zjarrit, e cila është përhapur në një sipërfaqe mjaft të gjerë. Madje zjarri ka provokuar në disa raste edhe shpërthime te armatimeve të vjetra të hedhura në natyrë.

Emergjencat civile, zjarrfikëset si dhe forcat e ushtrisë, herë pas here vlerësojnë situatën dhe ndërrojnë punonjësit në terren, por deri më tani, as shuarja e flakëve dhe as izolimi i tyre nuk po bëhet e mundur. Pak pasmesditës se të hënës flakët i janë afruar shumë ish-godinave te bazës ushtarake që dikur ishte në Sazan.

SHKARKO APP