Së bashku në tryezën e paqtë të iftarit
Nga: Edi Rama
Fjala në darkën e Iftarit, mbajtur në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiran
Fort të dashur miq! Jam i lumtur sot që pas dy vite ndarjesh dhe kufizimesh, pasojë e një sulmi të paprecedent pandemik, rigjendemi rreth tryezës së iftarit. Më ka munguar ky takim sepse prej vitesh tryeza e iftarit ka lënë tek unë një shije të posaçme njerzillëku duke ushqyer një ndjesi të mirëseardhur paqeje.
Mirë se keni ardhur dhe shumë faleminderit për praninë tuaj, edhe në emër të Lindës, gjysmës gjithmonë më të mirë timen. Natyrisht si në çdo rast të tillë, nuk do të mungojnë as në këtë rast edhe përqeshjet, edhe përfoljet, të cilat i ushqen një këndvështrim i shtrembër i fesë në tërësi dhe një injorancë ulëritëse mbi islamin në veçanti, por ja që nuk ka nevojë as të jesh mysliman, madje as të jesh hiç fare besimtar në zot, që të ulesh në tryezën e iftarit e të marrësh prej saj ushqimin lehtësues për mendjen dhe për shpirtin.
Thelbi i kësaj tryezë është islami pa dyshim, por nga ana tjetër islami është përveç se një fe e përqafuar ethshëm nga besimtarët myslimanë edhe një dhuratë pa kushte për mbarë njerëzimin. Një dhuratë që është gjynah ta refuzosh në mos si një burim besimi tek Zoti, si një burimi më shumë besimi tek njeriu, tek vetja, tek ai që jo thjesht duhet por mund të jesh.
“Ju lejohet sot”, thuhet në Kuran, “ushqimi i zgjedhur. Ju lejohet ushqimi njerëzve të librit sikundër dhe atyre u lejohet sot të konsumojnë ushqimin tuaj”. Është e gdhendur në syratën e pestë të Kuranit me titullin “Tryeza e Shtruar”, që frytet shpirtërore që ju premtuan Abrahamit, tora dhe ungjilli, janë dritë dhe janë prijëse të qytetërimeve të themeluara nga bijtë e patriarkut.
Shkruhet në Kuran, “secilit prej jush ju dhamë një ligj e ju dhamë një drejtim. Nëse do ta kishte dashur Zoti, do t’ju kishte bërë një bashkësi, por ja ku deshi t’ju sprovojë përmes dhuratave të tij. Rivalizoni me njëri tjetrin në vepra të mira, të gjithë do të ktheheni tek Zoti, ai do t’ju ndriçojë për gjithçka ju bën të ndryshëm mes jush”.
E ja ku jemi sot, në një tryezë të shtruar e të rrethuar nga njerëz me dhunti, me njohuri e patjetër me besime, bindje dhe opinione nga më të ndryshmet.
Kjo tryezë, jo vetëm nuk është tepërt, e dalë boje, e tejkaluar në botën që njohim sot, por është në vendin e saj, në kohën e saj, në të drejtën e saj të qytetarisë, në këtë botë ku progresi, teknologjia, inteligjenca artificiale, jo vetëm që nuk e kanë bërë më pak të nevojshëm besimin, por përkundrazi. Nuk ka si të jetë ndryshe në fakt, deri sa feja është një nga aspektet më të rëndësishme të historisë shpirtërore të njeriut dhe një nga pjesët më të pazëvendësueshme të anatomisë, të kulturës njerëzore në tërësi.
Feja, librat e shenjtë, historia dhe arti i saj nuk janë kurrsesi vetëm një çështje e besimtarëve, aq më pak janë çështje të ndara sipas besimeve, të kultivuara në parcela të ndryshme të kopshtit të besimit, përderisa në qendër të fesë është kërkimi i të vërtetës absolute, të vërtetës rreth ligjësive të natyrës, por dhe ligjeve e normave shoqërore, të cilave njeriu i bindet, ama duke e pyetur pa rreshtur veten se përse gjërat duhet të jenë kështu e jo ashtu? Atëherë, krejt natyrshëm për çdonjërin prej nesh feja ofron një hartë të vetën, që na ofron në leximin e rrugëve të jetës, sidomos në udhëkryqet e tyre. “Mos gjyko, se do të gjykohesh nga gjykimi yt”. “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk do doje që tjetri të ta bënte ty”. “Mos ua përmend të tjerëve nderet”, e me radhë plot të tjera, deri tek mos e harro që armiku yt mund të bëhet miku yt më i mirë. Janë drita orientuese në atë hartë e ndërkohë që në çdo hap në rrugët tona të jetës, ne i kemi si hije pyetjet e pandashme, pavarësisht sa larg shkon shkenca apo teknologjia.
Ç’kuptim ka të jetosh çdo ditë kur në fund të fundit jetës i vjen fundi një ditë.
Çfarë ka përtej vdekjes?
Përse ekziston e keqja?
Çfarë marrëdhënie ka midis zgjedhjes së mirë e zgjedhjes së gabuar?
Si mund të luftohet e keqja brenda njeriut e në rrathët shoqërorë që njerëzit krijojnë?
Të gjitha këto janë pyetje themelore të cilat fetë e ndryshme u përgjigjen aspak çuditërisht në mënyra shumë të ngjashme ndërsa një fjalë e vjetër na thotë se edhe engjëlli, edhe djalli, rrojnë brenda tek i gjalli. Nga të gjitha krijesat e natyrës, njeriu është e vetmja që jo vetëm zë vendin e vetë në natyrës, jo vetëm plotëson si të gjitha kafshët e tjera nevojat themelore të ushqimit, fjetjes, riprodhimit por edhe e pyet veten për këto e për shumëçka tjetër që lidhet me ekzistencën e tij. Këtu fshihet një mister i madh. Një enigmë e përjetshme të cilën shkenca nuk arrin dot ta zgjidhë deri në fund.
Shkenca na shpjegon se si ndodhin gjërat, se si lidhen shkaqet e pasojat, ,si funksionon biologjia, fizika, kimia, psikologjia. Ajo përdor gjithnjë e më shumë mjete të sofistikuara, por gjithmonë në fund ka një pyetje, ,të cilës shkenca sado e përparuar të jetë, nuk arrin dot ti japë përgjigje. Jo se si ndodhin gjërat por përse ndodhin gjërat? Feja i ka fillesat pikërisht të ky misteri i përse-së së ekzistencës sonë në këtë botë. Nëpërmjet urës së feve, njerëzit e kapërcejnë dimensionin e tyre kafshëror dhe hyjnë në një dimension shpirtëror ku e vërteta dhe sekreti janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe ku merr formë një marrëdhënie e brendshme me një qenie të përtejme. Me një qenie që është brenda teje por që është përtej teje. Tek kjo marrëdhënie me shumë stade, njeriu e zbulon veten si krijesa më e fuqishme pro dhe si qenia më e mjerë në botë, sepse sado të përparojë, njeriu nuk e gjen dot të gjithë kuptimin e gjithësisë e pikërisht tamam aty, tek kufiri fundor i njohjes fillon besimi. Aty fillon lehtësimi i shpirtit të njeriut nga barra e mjerimit të pandashëm të qenies së tij, që i ka ditët gjithsesi të numëruara.
Fe e të barabartëve e kanë cilësuar Islamin. Ne sot jemi këtu myslimanë e të krishterë, besimtarë dhe jo, pikërisht si njerëz të barabartë në tryezën e një feje të barabartësh, e cila nuk na kërkon asnjë nënshtrim tjetër përveç respektin për sho-shoqin, bashkimin në mirësi, vetëpërmbajtjes me mendje të hapur në dëgjimin e tjetrit. Rreshtimit krah për krah pa asnjë epërsi. Mu si vetë profeti i gjunjëzuar krah ndjekësit më të fundit në luftën e të barabartëve drejtuar zotit të tyre.
Mua më duket se tradhtia e përkthyesve nuk ka qenë asnjëherë, në asgjë, më e karakterizuar në shekuj e sa në lidhje me një fjalë kyçe të islamit, edhe pse jo vetëm me të në fakt.
Në gjuhët e perëndimit toni imponues, shpërfillës, përbuzës i fjalës nënshtrim i është mbivendosur dhunshëm kuptimit sa të dëlirë aq edhe të hijshëm të saj që në fakt e përmban kjo fjalë në konteksti kuranor. Dorëzim besimplotë tek Zoti ose t’i jepesh lirish e në ndërgjegje paqes. Ti jepesh e ti përkushtohesh paqes, jo vetëm që nuk do të thotë t’i nënshtrohesh diçkaje apo ndokujt por do të thotë të jesh ndriçues e çlirues i asaj thellësie shpirtërore ku gëlon burimi i besimit. Aty ku formësohen dhe fetë dhe ku edhe besimi islam ka buruar, jo në emrin e profetit që e shpalli atë, por përmes raportit mes atij që qëndron përtej njohjes sonë dhe lajmëtarit të tij këtej nga ana jonë.
Thoni “Ne besojmë në Zot, në atë që iu zbulua Abrahamit, Ismailit, Isakut, Jakobit dhe fiseve të tyre, në atë cka iu dha Mojsiut dhe Jezusit, në atë që iu dha profetëve nga ana e perëndisë, mes tyre nuk ka parapëlqime apo dallime. Te gjithë iu jemi dhënë Zotit”, këshillon Kur’an.
Tani, cilido që mund të mendonte këtu apo ndër ata që mund të na ndjekin se unë po predikoj fenë islame, do duhet të të ndalej sepse nuk është ky qëllimi im fare, aq më tepër që të tjerë ku e ku më të mëdhenj, si Gote, mendimtar i ndikuar deri në palcë nga Judeu krishtërimi e kanë bërë këtë deri në cudi si në vargjet më të famshëm të divanit mes Perëndimit dhe Lindjes; “Nëse islam do të thotë t’i nënshtrohesh vullnetit vullnetit në Zot, atëherë nën islam jetofshim jetë e mot”, apo Naimi ynë “Kafshët dhe bagëtia na i dha në këtë jetë shokë e ndihmës, Perëndia. O shokët e njeriut, Zoti ju shtoftë dhe ju begoftë dhe shpirti im mik përjetë, sikundër ka qenë ju qoftë, kafshët dhe bagëtinë që ju ka kaq nevojë, njeriu duhet t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë. Mos t’i mundojë kurrë, por si fëmijë t’i kemi, është mëkat dhe fjalë të ligë për to të themi”.
Janë të pashtershëm, në fakt, hadifet ku shfaqet kjo pjesëz e mëshirës së madhe të cilën Profeti e shumëfishon pakufijshëmërisht duke brenda shtruar në të gjithë ekosistemin njerëzor vegjetal.
Përkrah urdhëresës “Ushqe të uriturin, vizito të sëmurin dhe liro të marin rob”, qëndrojnë qortimet e profetit kundrejt kujtdo që keqtrajton kafshët apo përdollimet e tij ndaj zogjve që nuk kanë pranë të vegjëlit e tyre.
Kur’ani i madhërishëm dëshmon “Shërbesëtarët janë ata që ecin me përulësi në Tokë dhe që ia kthejnë me të mirë injorantëve që i keqtrajton. Mëshira, e cila është përkufizimi i dashurisë i përkthyer në akte dhe i nënshtrimit lirisht me vetëdije dhe lme përkushtim ndaj vullnetit hyjnor, është në të njejtën kohë edhe udhëndricuesi i kultureës së bashkëjetesës dhe të kujdesit ndaj cdo gjymtyre të krijimit që Zoti i ka mirëbesuar njeriut.
“I besuam qiejve, tokës, maleve, barrën për të prurë të mirën dhe për të shamngur të keqen, prej frikës së madhe refuzuan dhe atëherë ajo barrë iu dha njeriut”, shkruhet në Kur’an.
Çfarë mësimi më të thjesht dhe më të përmbledhur në vetëm dy fjali mund të marrë njeru sot teksa barra për të mbrojtur gjeneratat e tjera, duke shmangur të keqen fatale të ndryshimit të klimës, përmes kuptimit të forcës shkatërruese qëndrojnë brenda bashkë me fuqinë e saj transformuese era e zhvillimit. Cilikund mund t’i shërbejë sot më mirë shkundjes së dynjallëkut përballë kësaj të keqe kërcënuese për krejt planetit, sesa kumti i profetit Muhhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të. Edhe Dita e Qametit në të gjettë me një filiz në dorë, mos e lër pa mbjellë.
“Unë jam tronditur nga vlerat njerëzore dhe morale që populli amerikan bahskëndan me islamin. Ne ndajmë, së pari dhe mbi të gjitha, një besim të thellë tek një qenie sipërore dhe jemi drejtuar prej saj që të besojmë, që të mëshirojmë dhe të duam drejtësinë”, thotë presidenti Jimmy Carter. Në ndërkohë, si ta kishte paradëgjuar tronditjen e presidentit të SHBA, nga përafërianë shpirt, edhe pse jo në fe e popullit amerikan me islamin, Kurani thotë “O njerëz, ja ku ju bëmë femër dhe mashkull e ju bëmë me kombe dhe me fise, që të njiheni me shoshoqin. Zoti është shumë i paanë për t’u mbyllur në një, besojmë, që i përjashton të gjithë të tjerat”, thotë i përkohëri Ib Narani, ndërsa i pavdekshmi Xheladin Rumi shton “E vërteta është një pasqyrë që ra nga dora e Zotit dhe u bë copë. Gjithsecili që mori një fragment, beson se aty është e tërë e vërteta”. E sa më shumë të përpiqesh ta kqyrësh pasqyrën e fesë, pa e thyer për t ëmbajtur në dorë një copë që përjashton të tërën, aq më shumë e cmon burimin e beismit dhe urtësisë që feja i ofron bujarisht njeriut.
Ashtu sikundër, kupton fare qartë se devijimi ideologjik i besimit islam prej injorancës, prej dashakeqësisë apo shkretimit politik të Islamit, i ngjan një dhunimi të përbindshëm të Shpirtit të Shenjtë kuranor.
Besimi dhe qytetërimi islam, përkundër gjithë dezinformimit sistematik mbështetur sa në thjeshtëzimin vulgar dhe deri vrastar të fondamentalizmit lindor aq edhe në falsifikimin propagandistik dhe deri dhe racist të fondamentalizmit perëndimor, kanë gjalluar përmes një zbulese që lirisë së ndërgjegjes, sovranitetit dhe dijes dhe zgjedhjes së lirë individuale janë bërë kurorë qysh në zanafillë.
Cilët ndër ata që e mbajnë veten për të kultivuar dhe erudite dhe ndërkohë nëpërkëmbin Islamin si një prurje barbarie nga shekujt e njohin urdhëresën parësore që e zbriti kur’anin tek njerëzit?
Kjo urdhëresë nuk është as një oshëtimë për konvertim të dhunshëm, as një kushtrim ushtarak për të vrare e për të prerë me shpatë të ndryshmin. E madje, udhëresa parësore nuk është as një thirrje imponuese për të besuar në Zotin që shpall lajmësi i tij, profeti Mohhamed. Urdhëresa parësore është një odë për lirinë e shpirtit dhe mendjes, të cilën më herët e patën thurur filozofët klasikë grekë si Aristoteli, që filozofët islamë e quajnë “Mësuesi ynë i parë”. Ata ia ruajtën tekstet “Mësuesit të Parë” me fanatizëm ,ia përkthyen me besnikëri dhe ia pasuruan me komente që më tutje, filozofia mesjetare kristiane i rimori. I rimori nga Veroe, nga Vicena, nga Alfarabhi, nga Alkindi dhe plot kolosë të tjerë të mendimit islam, me kontributin e të cilëve përparoi ajo që vetëm imperalizmi i padijes e përkufizon si “Kulturë Perëndimore”. Ikra, lexo . Lexo dhe shpall. Lexo dhe dëfto. Mbi të gjitha, lexo dhe mëso”. Lexo është fjala urdhërore e Kumtit të parë, e vetme dhe e madhe sa pafundësia e librave, është kontributi themelor i fesë islame në progresin e përbotshëm. Është ajo që ka shpënë në kontributin e pazëvëndësueshëm të kulturës islame në astronomi, në algjebër, në kimi, në mjekësi, në metafizikë, në muzikë dhe në shumë fusha të tjera. Lexo ëshët fjala më islamike dhe ndërkaq, është fjala që më pak se cdo fjalë tjetër, fatkeqësisht, asociohet me fenë islame sot e kësaj dite.
“Lexo” ëhstë fjala prej ku buron edhe respekti pa kufi që islami ka jo vetëm për të ashtëquajturit “Al Hal Kitab”, njerëzit e librit, hebrenjtë dhe të krishterët por edhe për cdo bindje dhe kulturë. Por, në islam të lexosh sa për të lexuar sikundër të besosh sa për të besuar nuk mjafton. Lipset dhe edukimi, zotërimi i vetvetes përmes përftimit të një dijeje që i jep koherencë fillit të arsyes dhe dikton vijim sjelljen e njeriut. Më shumë se 100 herë, në Kur’an i bëhet thirrje veprimit të arsyes, si mishërimi themelor i besimit. Tek “Qyteti i Virtytshëm” dhe “Arritja e Lumturisë” thuhet se qytetar ështt ai që është i pajisur me dije. Ndërsa, Ibn Haitam e quante “Detyrë themelore të fesë, kërkimin e të vërtetës, gjykimin kritik dhe braktisjen e opinioneve vetjake të njëanshme”.
Në 20 vitet e fundit çmimi Nobel i është dhënë 6 personaliteteve të besimit mysliman, kryesisht gra.
Të gjitha këto personalitete janë njerëz të librit, por janë dhe njerëz të besimit.
Shirin Ebadi gjykatësja e angazhuar që provoi përndjekjet e ajatollahëve iranian, lauratja e parë myslimane grua e çmimit Nobel në 2003-in thoshte: “gjatë 23 viteve të fundit nga dita qe më shkarkuan nga detyra e gjykatëses, deri në betejat përpara gjykatave revolucionare të Teheranit nuk kam reshtur së përsërituri një interpretim të islamit në harmoni me barazinë dhe demokracinë”, është shprehja më autentike e besimit.
Të gjitha këto e bëjnë sot e kësaj dite islamin një shkollë universale prej se cilës përftohet çka në gjuhën arabe shprehet me fjalë “Isan”, të vepruarit bukur dhe hijshëm.
Bukur dhe hijshëm më duket se po veprojmë edhe ne sot tek jemi sëbashku rreth tryezës së iftarit duke kryer një gjest miqësie dhe mirësie.
Të gjithë vëllezërve dhe motrave të besimit islam këtu dhe kudo që ndodhen iu uroj agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara!
Ndërsa ne të tjerët, uroj qe përtej besimeve të ndryshme dhe mosbesimeve të larmishme të gjejmë me shumë forcë për vetëpërmbajtje dhe arsye për mirëkuptim brenda kufijve të ekzistencës sonë, gjithsesi shumë të përkohshme.
Zoti qoftë me ne, me familjet tuaja, me Shqipërinë dhe me shqiptarët!
Faleminderit!