Sejamini debaton me deputetin e PS-së: 71 deputetë vendosin për çdo gjë në Kuvend

Deputeti i PS-së, Arben Pëllumbi u përfshi në një debat me analistin Neritan Sejamini për moslejimin e opozitës për të ngritur komisione hetimore për punën e qeverisë. Pëllumbi tha se opozita ka patur më shumë kohë për të folur në parlament dhe se nuk është penguar për të ngritur komisione hetimore, por ato nuk kanë qenë në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Debati në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV

Sejamini: Unë e shikoj komisionin hetimor si mjet politik. Një nga problemet që ka në demokraci është ajo që quhet “Tirania e shumicës”. Në kushtet kur opozita ka 51 vota dhe nuk i jepet asnjë hapësirë opozitës, atëherë nuk ka nevojë për opozitë.

Pëllumbi: Po çfarë kuptoni ju me “hapësirë për opozitën”?

Sejamini: Supozojmë se ata bëjnë një komision hetimor dhe kanë një subjekt që sipas jush nuk është i duhuri. Ju duhet ta pranoni këtë komision dhe të çoni në Gjykatë Kushtetuese subjektin. Ju keni shumicën në Kuvend dhe i bie që po nuk deshët ju nuk ndodh asgjë aty. Duke qenë së në Kuvend ka dy forca kryesore politike, as unë nuk dua që kundërshtari im politik të ketë ndonjë pushtet. Nuk ka dashamirësi në politikë.

Pëllumbi: Prandaj ka disa mekanizma, si komisioni hetimor, interpelanca. Kur i janë penguar opozitës këto? Kur i janë penguar opozitës këto? Ka mocione me debat. Në cilat media nuk është lejuar opozita që të flasë? Po të shikosh kohën, më shumë ka folur opozita se sa maxhoranca.

Sejamini: Unë kam një shqetësim të madh. Nëse gjithçka në kuvend vendoset me 51 për qind të votave, me 71 deputetë, dhe nuk ka asnjë hapësirë. Ka disa të drejta kushtetuese opozita, siç është ajo e ngritjes automatike të komisioneve hetimore.

Pëllumbi: Po të ishte automatike nuk kishte pse ta kërkonte në Kuvend, as Konferencë Kryetarësh as pse të votohej nga seanca. Nëse do ishte ndryshe ajo do të thoshte këta janë emrat e mi, ju sillni tuajët, kjo është automatike. Në rast se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor vjen në përputhje me rregulloren e Kuvendit…?

Sejamini: Po kush e përcakton këtë, nëse është apo jo në përputhje?

Pëllumbi: Diskutohet në mbledhje kjo gjë.

Sejamini: Po kjo është shqetësuese sepse nuk ka pozitë që do të miratojë diçka që do t’i dëmtojë pushtetin e vet.

Pëllumbi: Po pse do të dëmtojë maxhorancën?

Sejamini: Po për kë bëhet kontrolli, për qeverinë bëhet. Sepse në institucionet e tjera ju nuk e lejoni. Unë nuk jam jurist dhe nuk marr vesh nga çështjet juridike, por nga politika dhe ndarja e pushteteve. Më habit vendimi i Gjykatës Kushtetuese që Kuvendi nuk mund të kontrollojë një institucion tjetër. Kontrolli reciprok, një pushtet kontrollon një tjetër, ky është thelbi. Kurse ju thoni: Kuvendi kontrollon vetëm veten, me drejtësinë nuk ka punë.

Pëllumbi: Ja aprovuam një ligj. E kemi për detyrë të kontrollojmë zbatueshmërinë e tij dhe gjatë këtij kontrolli na del që këtu ka një antikushtetutshmëri. Në këtë rast ne ngrejmë një komision hetimor për të hetuar pse nuk na funksionoi kjo gjëja. Ne nuk jemi as hetuesi, as gjykatë, nuk çojmë njeri në burg. Ne kontrollojmë ligjet që kemi aprovuar vetë nëse funksionojnë mirë në institucionet e tjera dhe i japim rekomandime kuvendit. Ky është qëllimi i komisionit hetimor, jo të akuzojë njerëz.

Sejamini: Ishte rasti i inceneratorëve dhe doli që gjithë administrata ishte e përfshirë në këtë aferë. Pse nuk lejohet Kuvendit që ta hetojë këtë të koncesioneve që ia mohuat para një jave?

Pëllumbi: Po nuk mundet që Kuvendi të hetojë në përgjithësi tërë koncesionet.

SHKARKO APP