Sejko: Do mbështesim kërkimet e studentëve për sektorin bankar
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi dje një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur të shtypit të shkruar e medias elektronike dhe përfaqësues të medias në Shqipëri.
Guvernatori nënvizoi se komunikimi, për një bankë qendrore, konsiderohet një proces mjaft i rëndësishëm, ndaj materializimi i vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar pa ndihmën dhe objektivitetin e medias do të ishte një mision i pamundur. Ai u shpreh mirënjohës ndaj medias për rolin konstruktiv në përcjelljen e lajmeve mbi ekonominë, financat, paranë, sistemin bankar, inflacionin, qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rreziqet, ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia e vendit.
Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko garantoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur, ku mediat mund të gjejnë në vazhdimësi një dritare të hapur komunikimi për gjithë spektrin e lajmit ekonomik dhe financiar, bashkëkohor, profesional dhe të paanshëm. Gjatë këtij aktiviteti u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2018”. Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe u dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar etj..
Sejko vlerësoi se nga kjo perspektivë, Banka e Shqipërisë ka munduar të ndërtojë kapacitetet e veta në fushën e kërkimit shkencor. “Nevoja për kërkim të vërtetë shkencor vlerësohet tepër e dobishme, duke shpresuar se nga një perspektivë afatgjatë do të jemi të aftë të ndërtojmë modele studimi dhe kërkimi. Ndërtimi i tyre në kohët moderne vlerësohet i domosdoshëm, pasi në analizë të fundit ai ndihmon në përsosjen e gjithë procesit vendimmarrës të Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar. Pikërisht për këtë arsye, edhe ceremonia e shpërndarjes së çmimeve për diplomën më të mirë, përbën një aktivitet të konsoliduar të Bankës së Shqipërisë në drejtim të mbështetjes së studentëve premtues në fushën e kërkimit shkencor, që lidhet me sferën e veprimtarisë së bankingut qendror”, u shpreh Guvernatori.
Me çmimin e parë u vlerësua Migena Musli, studente në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, për temën “Investimet e huaja në Shqipëri. Rasti i burimeve natyrore si një mundësi investimi”, çmim i cili iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Me çmimin e dytë u vlerësua Donald Vullnetari, student në Universitetin e Tiranës, për temën “Dinamika e inflacionit në perspektivën e kurbës Neo-Keynesiane të Phillipsit: Rasti i Shqipërisë”, çmim i cili iu dorëzua nga anëtari i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Tonin Kola. Me çmimin e tretë u vlerësua Klinsman Ndoje, student në Universitetin Libre de Bruxelles, për temën “Transition from equity to inequity”, çmim i cili iu dorëzua nga zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.
KOHA JONË SONDAZH

