Sekretari i OKB, Guterres, apelon: T’i jepet fund gjakderdhjes në Gaza dhe Liban

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për t’i dhënë fund “dhunës tronditëse” dhe “gjakderdhjes” në Gaza dhe Liban, një ditë para përvjetorit të parë të sulmit nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Izrael.

E hëna e 7 tetorit do të shënojë përvjetorin e parë të sulmit të paprecedentë të Hamasit, i cili tronditi Izraelin dhe ndezi luftë në Rripin e Gazës.

Kjo që atëherë është përhapur në Libanin fqinj, kundër aleatit të tij, Hezbollahut.

“Kjo ditë është një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të dënojë edhe një herë me zë të lartë aktet e neveritshme të Hamasit, përfshirë marrjen e pengjeve”, tha Antonio Guterres në një deklaratë të lëshuar dje.

Në këtë deklaratë, Guterres kërkoi “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të tyre, ndërsa i kërkoi Hamasit “të lejojë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të vizitojë pengjet”.

Nga 251 personat e rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit, 97 janë ende pengje në Gaza, duke përfshirë 64 të supozuar të gjallë dhe 33 të vdekur.

Numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit në tokën izraelite është 1 205, shumica civilë, sipas një numërimi të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite, përfshirë pengjet që vdiqën ose u vranë në robëri në Rripin e Hamasit.

Si hakmarrje, Izraeli nisi një operacion ushtarak që deri më tani ka vrarë të paktën 41 825 njerëz në Gaza, kryesisht civilë, sipas qeverisë së Gazës të udhëhequr nga Hamasi.

“Që nga 7 tetori, një valë tronditëse e dhunës dhe gjakderdhjes ka filluar. Është koha për të liruar pengjet (…) Është koha që armët të heshtin. Është koha për të ndaluar vuajtjet që kanë pushtuar rajonin”, theksoi ai.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për shtrirjen e konfliktit në Liban kundër Hezbollahut, i mbështetur nga Irani.

“Lufta që pasoi sulmet e tmerrshme të një viti më parë ende po shkatërron jetë dhe po u shkakton vuajtje të thella njerëzore palestinezëve në Gaza dhe sot popullit libanez”, theksoi ai.

”Që nga tetori 2023, më shumë se 2 000 njerëz janë vrarë në Liban, duke përfshirë më shumë se 1 000 që nga intensifikimi i sulmeve izraelite më 23 shtator”, sipas autoriteteve.

Rreth 1,2 milionë njerëz janë zhvendosur./  a.jor.

SHKARKO APP