Sekretari i PS, Peza: Mazhoranca asnjë skenar për zgjedhje të parakohshme!

Sekretari për marrëdhëniet me mediat në PS, Alfred Peza ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet se ka një skenar të mundshëm nga mazhoranca për zgjedhje të parakohshme. I ftuar në studion e Report Tv, në emisionin “45 minuta”, Peza tha se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në 2021, siç e parashikon Kushtetuta dhe në këtë drejtim shprehet i bindur se nuk do të ketë asnjë ndryshim qëndrimi nga ana e socialistëve. Për Pezën, mos zhvillimi i zgjedhjeve të parakoshshme ka qenë edhe një kërkesë e artikuluar edhe nga liderët e opozitës.

“Zgjedhjet e Përgjithshme, vetë liderët e opozitës kanë thënë pavarësisht se Reforma Zgjedhore e dakordësuar që pritet të miratohet në parlament, nuk ka kohë fizike për ta implementuar deri në zgjedhjet e parakohshme. Ato do të bëhen në 2021 siç e parashikon Kushtetuta. Ne s’kemi një skenar për zgjedhje të parakohshme. Jemi të përgjegjshëm”, tha Peza.

Duke u ndalur të komentonte tryezën e reformës Zgjedhore, ku pavarësisht deklaratave se nuk do merrte pjesë, opozita solli përfaqësuesin e saj politik, Peza tha se ky ishte një tregues se e kanë kuptuar që bënë gabim me vendim për djegien e mandateve. Peza bëri një krahasim, duke i cilësuar ata si “struci”, që e përdorën këtë tryezë për t’u rikthyer në sistem, dhe kjo sipas tij ishte shumë e dukshme, por pavarësisht kësaj e vlerëson si drejtë.

“Deriç për t’u rikthyer në sistem, kjo është një gjë e mirë se të gjithë e duam opozitën në sistem, por kjo analizë duhet bërë si mundet kjo opozitë, doli nga sistemi. E përdori si struci me kokën në rërë, tryezën. Edhe çadra pjesë e lojës politike. Opozita e kuptoi që gaboi, edhe pse s’e pranoi”, përfundoi Peza.

SHKARKO APP