Sekretari i PS-së, Alfred Peza: Krimi i organizuar do goditet në palcë
Sekretari i Partisë Socialiste dhe ish-deputeti socialist Alfred Peza i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” ka komentuar deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama në parlament, i cili deklaroi se krimi i organizuar do të goditet në palcë.
Peza tha se të tilla operacione antikrim, për të goditur pasurinë e jashtëligjshme po kërkohen jo vetëm nga kryeministri, por edhe ndërkombëtarët.
“Sigurisht që kryeministri është njeriu më i informuar në vend dhe jam i bindur se kur flet në këtë mënyrë, ka informacionin e saktë. Për shembull gazetarët duhet të thonë se mbështesim goditjen e krimit, e pastaj nëse ka kritika patjetër që duhen dhënë. Gjuha për të goditur krimin nuk e ka vetëm Edi Rama, por edhe ndërkombëtarët. Janë ndërkombëtarët ata që kërkojnë të goditet krimi i orgnaizuar dhe korrupsioni”, deklaroi Peza.
Alfred Peza më tej sqaroi se anti-KCK mundet që vetëm të sekuestrojë pasuritë që janë vënë nga para krimi, por nuk ka masa penale.
“Do të ketë konfiskim pasurie, jo hetim penal. Fokusi është vetëm tek goditja e rrënjëve financiare që kanë rrjedhur nga trafiqet e drogës, të armëve dhe të prostitutave. Janë goditje ndaj krimit kur paraja është bërë me veprimtari kriminale, e faktuar me vendim gjykate. Kjo është një paketë e përkohshme. Është e përkohshme, sepse pritet të mbushë një boshllëk nga rënia e drejtësisë së vjetër në ngritjen e një sistemi të ri të drejtësisë”, tha Peza.