”Sekretet” e Dumanit, ja motoja e prokurorit që u vlerësua nga SHBA-ja
Kapërcimi i derës së KLP nga Altin Dumani verën e 2019 ndodhi në kohën kur SPAK ishte ende një projekt që pakkush mund ta parashikonte se sa lart do të ndëshkonte në emër të ligjit. Si çdo hap i vogël, por të rëndësishëm Altin Dumani, sot 50 vjeç kërkoi që në fillim të kalonte testet për prokuror të thjeshtë në skuadrën e SPAK.
Forca që po projektohej të ndëshkonte të pandëshkueshmit brenda një terreni ku korrupsioni dhe krimi i organizuar ishin ulur këmbëkryq.
Anila Hoxha: Po konkurroni për një prokurori shumë të rëndësishme
Altin Dumani: Patjetër që është emocionuese.
Në karrierën e tij , Dumani është shprehur vazhdimisht se detyra e prokurorit është një mision dhe jo një punë. Nga 1999 kur hyri në sistemin e drejtësisë, prokurori Altin Duman ndërtoi profilin e një shërbëtori të ligjit duke hetuar në qytete të trazuara për kohën sikurse ishte Tropoja . I palëkundur në vazhdim Altin Dumani provoi përmes hetimeve të njësisë task- force e para e mbështetur nga amerikanët, dhe më tej pranë prokurorisë së krimeve të rënda por edhe në apel; se kush kishte shkelur ligjin nuk mund të shpëtonte për procedurë.
”Emri nuk më bën përshtypje, rëndësi ka prova”,-u shpreh Dumani, ditën kur kërkoi të ishte një nga ata që do të nisnin ndryshimin. Ti shikojë të gjithë njësoj pavarësisht pushtetit ishte një parim që e përsëriti edhe gjatë garës për kryeprokuror i SPAK. Pikërisht gjatë kësaj gare ambasadorja Yuri Kim e cila surprizoi me një vizitë të beftë dha mesazhin se kushdo që do të zgjidhet duhet të mbajë parasysh që pronar I tij është ligji. Nuk u tha shqip që amerikanët po mbështesnin Dumanin, megjithatë kjo ishte e qartë
”Prokuroria e Posaçme duhet të bëjë të mundur një Shqipëri ku cilido që kryen një krim duhet të ndëshkohet, pavarësisht pushtetit dhe fuqisë që ka. Dhe duhet bërë e qartë që e vetmja shpresë për ti shpëtuar ligjit është të mos kryejë krim”, tha Dumani më 18 dhjetor 2019. Në krye të SPAK prej 2022, Altin Dumani i nderuar sot kampion kundër korrupsionit, po tregon së bashku me skuadrën e posaçme se se ”ligji është i barabartë për të gjithë”. /TCH/