Sekreti i marrëveshjes me “Pfizer”, Gjoni i kthehet Ramës: S’mund të talleni në këtë farë feje, nuk jam kundër vaksinave por…
Pasditen e sotme ka rinisur dhe sesioni parlamentar për vitin 2021, ku në rendin e ditës pritet të miratohen 3 akte normative, një prej të cilëve është marrëveshja që qeveria ka bërë me prodhuesit e vaksinës anti-Covid, “Pfizer”.
Deputeti Ralf Gjoni në fjalën e tij kërkoi nga kryetari i kuvendit Ruçi më shumë transparencë në lidhje me aktet normative që pritet të votohen dhe jo vetëm titujt e tyre. Mungesën e transparencës për deputetët Gjoni e cilëson si një tallje të ekzekutivit.
“Ky ekzekutiv nuk mund të tallet në këtë far feje me Parlamentin. Po kërkoj në rendin e ditës tekstin e akteve normative, asnjë shenjë. Deputetët e Kuvendit nuk mundet të shprehen me votim, bazuar thjesht në tituj të lexuar nga kryetari i Kuvendit.
Keni kaluar nga debati i madh i vitit të kaluar me ministren Manastirliu për vaksinën Covax, e cila nuk e di se ku po fshihet, se nuk po shohim asnjë gjurmë të saj, në disa vaksina klandestine, deri në marrëveshjen teksti i së cilave mungon.
A ka mundësi të ketë transparencë, sepse kemi përgjegjësi të madhe si deputetë për të votuar shuma të mëdha në buxhet për vaksinat, por procedurat duhet të bëhen transparente. Ndryshe po e kthejmë shtetin në një çerdh”, tha Gjoni.
Ruçi në përgjijen e tij theksoi se e ka bërë me dije në konferencën e kryetarëve se detajet e marrëveshjes nuk do të bëhen me dije pasi është parakusht nga kompania prodhuese dhe kështu funksionon dhe me vendet e tjera të botës.
“E para nuk kemi të bëjmë me tallje të ekzekutivit, së dyti të dyja aktet normative unë i kamë bërë prezent në mbledhjen e kryetarëve.
Është në marrëveshje që nuk do të bëhet publike as në media as në internet. S’ka asgjë këtu as për transparencën as që janë zyrtare. Ne jemi të detyruar se kjo s’është vetëm kërkesë për ne por për të gjitha vendet”, tha Ruçi.