Turizmi shqiptar humbi 1.8 miliardë euro gjatë vitit 2020
Viti që sapo lamë pas shënoi një humbje shumë të madhe për sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe padyshim, sektori i turizmit është më i godituri. Por pyetja që të gjithë kanë është sesi do të jetë ky vit, nëse pandemia do të vazhdojë të pengojë punën me turistët dhe turizmin në përgjithësi.
Sipas operatorëve turistikë humbja më e madhe e sektorit është në radhët e burimeve njerëzore të kualifikuara, të cilat është gati e pamundur të rikuperohen, pasi janë larguar. Shoqatat e turo-operatorëve konsiderojnë se nëse rimëkëmbja do të nisë pa humbur kohë pas prillit të këtij viti, ajo mund të zgjasë deri në vitin 2023.
Gjatë një emisioni televiziv, Kliton Gërxhani nga Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike tha se turizmi është sektori më i goditur në vitin që sapo lamë pas.