Sekuestro e SPAK ndaj Rtv Ora dhe Ora News, avokati: Gjyqtarja në “çengelin” e vettingut, prokurorët pjesë e farsës

Gjyqtarja që ka firmosur vendimin për sekuestrimin e RTV Ora dhe Ora News, Etleva Deda është shkarkuar nga detyra e drejtueses së Krimeve të Rënda në 2011 si pasojë e një vjedhje brenda institucionit që drejtonte.

Për më tepër kjo gjyqtare është në proces vettingu, dje është konfirmuar nga KPK, dhe mjafton një ankimin nga ana e Komisionerit Publik dhe KPA mund ta shkarkojë.

Ndërkohë prokurorët që kanë firmosur vendimin janë të njëjtët që firmosën për arrestimin e  dy ish-komisionerëve të vdekur.

Janë dy detaje juridike që kompromentojnë gjithë procesin.

Avokati Ledio Braho thotë se gjyqtarja mbahet “peng” me ankimin, pasi është pushteti që vendos do ta ankimojë vendimin e KPK apo jo.

I ftuar në Rtv Ora, ai thotë se edhe dy prokurorët janë pjesë e kësaj farse pasi që nga fillimi i vitit funksionon OFL që do të duhet të kishte proceduar si në rastet e tjera dhe me zotin Ndroqi.

Avokati thotë se ndaj zotit Ndroqi ka vepruar ligji antimafia, por edhe ky është në fuqi prej 10 vitesh dhe pse zbatohet vetëm tani kur media është fuqizuar dhe ka dalë kundër mazhorancës dhe qeverisë.

Ledio Braho: Në aspektin juridik çalon shumë gjithë ngjarja. Por lidhur me gjyqtaren duhet të kapim një moment, është e vetmja gjyqtare pranë kësaj gjykate që është konfirmuar me vendim të shkallës së parë të vettingut, nuk i është bërë ende ankimi dhe pushteti e ka në dorë ti bëjë ose jo ankim.Ky lloj çengeli e mban atë gjyqtare të japë vendime të tilla.

Vendimi është dhënë në gusht dhe gjyqtarët caktohen paraprakisht, nuk ka short.Kanë shfrytëzuar këtë moment për të marrë një vendim të tillë në gusht. E gjithë situata ka qenë e paragjykuar dhe është shfrytëzuar ky moment. Kjo është një procedurë që është nisur nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit. Provat janë mbledhur nga 21 korriku deri me 1 gusht.

Tregon se gjëja ka qenë shumë e shpejtë pikërisht për të arritur në një vendimmarrje të tillë. Patjetër që edhe prokurorët janë pjesë e kësaj farse. Që nga fillimi i këtij  viti është në fuqi dhe OFL, pse në rastin e zotit Ndroqi nuk ka proceduar OFL siç ka proceduar me çdo person që është në hetim ose i dënuar me vendim të formës së prerë? Procedura e OFL kërkon që të njoftojë dhe e justifikon ti pasurinë paraprakisht.Nëse nuk e justifikon dot çohesh në SPAK, në gjykatë për të vendosur sekuestro. Në rastin e SPAK është përdorur ligji antimafia për të vënë sekuestro paraprakisht dhe për ta vënë para faktit të kryer.

Shqipëria ka plot sipërmarrës që kanë para të ardhura nga krimi dhe lëvizin lirshëm nëpër Shqipëri, as OFL nuk u ka bërë gjë, as ligji antimafia nuk u ka bërë gjë. Duket që është një situatë e stisur që nga momenti dhe procedura që është ndjekur.Flagrante është dhe fakti që informacionet që jep SPAK ka vite që qarkullojnë në portale të ndryshme, pse pikërisht tani?

Ligji antimafia është në fuqi prej 2010, pas 10 vitesh u kujtuan për të verifikuar pasurinë?! Apo sepse media është fuqizuar dhe ka dalë kundër mazhorancës dhe qeverisë, kjo është arsyeja? Të gjithë elementët e kësaj ngjarje tregojnë se ka prapaskena politike, ka prapaskenë për cënimin e lirisë së medias, është shumë e qartë.

SHKARKO APP