Sekuestrohen 2.3 mln euro pasuri në Vlorë
Një sasi e madhe pronash është sekuestruar në Vlorë.
Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se kanë vendosur nën sekuestro preventive për një sipërfaqe toke të mbjellë me pemë, që kap vlerën 2. 3 milionë euro.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, ka bërë ekzekutimin e një tjetër vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për vendosjen e masës së sigurisë pasurore ‘Sekuestro preventive’.
Kjo sekuestro është bërë mbi sipërfaqen 23 000 m2, e mbjellë me pemë në zonën e Radhimës, vlera financiare e së cilës kap shifrën rreth 2.3 milionë euro.
Ky sekuestrim pasuror u bë në kuadër të hetimit ndaj shtetasit A. L., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ka rezultuar se ky shtetas dyshohet ta ketë përfituar këtë sipërfaqe pemëtore me anë të falsifikimit të dokumenteve.
Veprimet e mëtejshme ndiqen nga ana e Prokurorisë.