Sekuestrohen dy makina luksoze me vlerë 280 000 euro, automjetet ishin vjedhur

Dy makina luksoze të llojit ‘G-Class’ janë sekuestruar nga policia e Vlorës. Sipas policisë, vlera e tyre është rreth 280 000 euro dhe ishin vjedhur në Itali, për t’u shitur në vendin tonë.

Policia ka vënë në hetim penal shtetasit F. M., 33 vjeç, banues në Lezhë dhe F. D. alias B. T., 32 vjeç, banues në Luz i Vogël, Kavajë.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura në shtete të ndryshme, kryesisht në Itali, duke iu bërë ndryshime në elementet identifikuese dhe duke i pajisur këto automjete, me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete tip “Mercedes Benz”, të dyshuara të vjedhura, me vlerë rreth 280 000 euro. Në drejtimin e Prokurorisë Vlorë vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të trafikimit të automjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas”, njofton policia.

SHKARKO APP