Selia e Shenjtë i flet OKB-së: “Nuk ka zgjidhje ushtarake për krizat e Lindjes së Mesme”
Duke folur në debatin publik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, delegacioni i Selisë së Shenjtë bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të përshkallëzimit në Liban, për një zgjidhje për krizën humanitare në Gaza, për rrugën drejt një shteti palestinez dhe për vëmendjen ndaj gjendjes në Iran.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për krizat e Lindjes së Mesme”. Këtë tha delegacioni i Selisë së Shenjtë gjatë debatit publik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi temën «Ruajtja e paqes dhe e sigurisë ndërkombëtare». Të nxiten zgjidhjet politike për Lindjen e Mesme, ndërmjetësimi dhe dialogu për një paqe të qëndrueshme.
“Vuajtjet e vazhdueshme të civilëve, shkatërrimi i shtëpive dhe i vendeve të kultit, dëmtimi i infrastrukturës thelbësore, si dhe situata e rëndë humanitare, e bëjnë këtë çështje të dukshme në një mënyrë të dhimbshme”, theksoi delegacioni i Selisë së Shenjtë në OKB, duke nënvizuar se “këto rrethana kërkojnë përpjekje të tjera për një ndërprerje të menjëhershme të dhunës dhe një kornizë politike të besueshme, në gjendje t’u përgjigjet aspiratave të ligjshme të të gjithë popujve të përfshirë. Të gjitha shtetet, veçanërisht ato me ndikim në rajon, kanë një përgjegjësi të madhe për të mbështetur uljen e tensioneve dhe zgjidhjen paqësore.”
Një zonë me plagë dhune dhe vuajtjesh
Duke kujtuar edhe një herë se Lindja e Mesme është një rajon i pasur me histori, kulturë dhe besim, dhe se popujt e saj kanë kontribuar pa masë në qytetërimin njerëzor, delegacioni i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së specifikoi se “këto vise përfshijnë Tokën e Shenjtë, me Jeruzalemin në qendër të tij, një tokë e shenjtë për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët, me rëndësi shpirtërore që shtrihet shumë përtej këtij rajonit. Megjithatë,” shtoi delegacioni, “sot kjo zonë vazhdon të vuaj nga dhuna, nga frika. Paqja duhet të ndërtohet gjithmonë përmes dialogut, besimit dhe respektit për dinjitetin që Zoti ia jep çdo njeriu. Siç theksoi Papa Leoni XIV: Paqja nuk është mungesa e konfliktit, por është ajo forcë e njerëzishme që e dëbon dhunën”.
Nuk ka zgjidhje ushtarake për krizat e Lindjes së Mesme.
Delegacioni më pas përcolli edhe tri pika për reflektim: “Së pari, nuk ka zgjidhje ushtarake për krizat në Lindjen e Mesme. Sikurse kujtoi ditët e fundit Papa Leoni XIV: Armët mund të imponojnë një heshtje të përkohshme, por ato kurrë nuk mund të ndërtojnë një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Vuajtjet e vazhdueshme të civilëve, shkatërrimi i shtëpive dhe i vendeve të kultit, dëmtimi i infrastrukturës thelbësore, si dhe gjendja e rëndë humanitare, e bëjnë këtë gjë të dukshme fort. Këto rrethana, theksonte Papa, kërkojnë përpjekje të reja për ndërprerje të menjëhershme të dhunës dhe për një kornizë politike të besueshme, që i përgjigjet aspiratave të ligjshme të të gjithë popujve të përfshirë. Të gjitha shtetet, veçanërisht ato me ndikim në rajon, kanë një përgjegjësi të madhe për të mbështetur uljen e tensioneve dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore.”
Guxim politik dhe përqëndrim te njerëzit
Një temë e dytë u përqendrua te diplomacia parandaluese dhe ndërmjetësimi, të cilat, u theksua, “kërkojnë durim, guxim politik dhe gatishmëri për t’u angazhuar. Çmimi i dialogut mund të duket i lartë por çmimi i mungesës së tij është, padyshim, më i lartë.
Në të vërtetë, ndërmjetësimi nuk është thjesht një çështje e menaxhimit të krizave, por më tepër puna e duruar e rindërtimit të marrëdhënieve dhe e rivendosjes së besimit.”
Në fund pastaj, çdo zgjidhje politike, në qendër të saj, duhet të vendosë njeriun. “Marrëveshjet politike nuk mund të zgjasin nëse nuk u përgjigjen shpresave dhe nevojave të përligjura të popujve. Paqja ruhet jo vetëm nga institucionet, por edhe nga bashkësitë e njerëzve që krijojnë besim, solidaritet dhe shpresë. Prandaj, është thelbësore të mbështeten agjencitë dhe institucionet e Kombeve të Bashkuara që ofrojnë arsim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për personat e shpërngulur dhe për bashkësitë e refugjatëve.”
Lypset durim dhe zell për një paqe të përbotshme dhe të qëndrueshme
Në fund të deklaratës të delegacionit të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së erdhi thirrja për një zgjidhje për të gjitha konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. “Selia e Shenjtë kërkon një fund të menjëhershëm të përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak në Liban dhe bën thirrje për përpjekje të përbashkëta, durim dhe zell në ndjekjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, përfshirë këtu edhe çështjen e Iranit. Për më tepër, është e domosdoshme që të gjitha format e luftës të ndalen, që situata dramatike humanitare në Gaza të merret në shqyrtim dhe të caktohet një rrugë drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Popujt e Lindjes së Mesme”, përfundoi delegacioni i Selisë së Shenjtë, “meritojnë më shumë sesa të mbeten të bllokuar në një cikël krizash të përsëritura. Ata meritojnë një të ardhme të bazuar në drejtësi, siguri, pajtim dhe shpresë.”
R.SH. / Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

