Senatori italian: Qeveria italiane të mos heshtë. Në Tiranë u shkatërrua një simbol i artit dhe miqësisë mes dy shteteve
“Një vend pa memorie është një vend pa të ardhme”,- thoshte Montaneli dhe kjo frazë rëndon mbi Shqipërinë pas shkatërrimit të Teatrit Kombëtar për ti hapur rrugën spekulimit me ndërtimet”.
Deklarata është bërë nga Paolo Romani, senator i Partisë CAMBIAMO në Itali, i cili kritikon shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Zhvillimi dhe modernizimi i një qyteti, në evoluim të shpejtë si kryeqyteti i Shqipërisë, duhet përshëndetur dhe vlerësuar, por jo kur harrohet të ruhet historia e tij. Teatri i inauguruar në vitin 1938 ishte dhe një prej simboleve të miqësisë mes Shqipërisë dhe vendit tonë (Italisë). Ishte projektuar nga arkitekti Giulio Berte për kompaninë “Pater-Costruzioni Edili Speciali e Milanos”,- thotë ai.
Senatori italian akuzon qeverinë italiane për heshtjen ndaj shkatërrimit të një vepre që simbolizonte edhe miqësinë mes Shqipërisë dhe Italisë. “Heshtja e institucioneve italiane, duke nisur nga ministri Di Maio, rezulton një heshtje faji për shkatërrimin e një simboli të rëndësishëm për dy vendet. Urojmë që të braktisen projektet spekulative dhe rindërtimi të mund të sjellë pamjen origjinale të Teatrit, i cili deri para shkatërrimit ishte një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës në kryeqytetin shqiptar”,- shprehet Romani, raporton agjencia e lajmeve AGI.