Serbët njëzëri: Detyrim para kombit që ta mundim Shqipërinë!

“Në Shqipëri të tregohemi inteligjentë dhe të luajmë me kurajë”.

Ka qenë ky mesazhi që kanë përcjellë futbollistët dhe stafi teknik i kombëtares serbe në ditën e parë të grumbullimit në 'Stara Pazova' në prag të dy sfidave ndaj kombëtares kuqezi dhe Portugalisë.

Për këtë takim, folën për mediat tre futbollistë serbë, pikërisht portieri Vladimir Stojkovic dhe mesfushorët, Dusan Tadic e Zoran Tosic.

“Të tilla ndeshje duhet ti luash me qetësi dhe mençuri. E dimë që futbollistët e kombëtares shqiptare janë shumë të motivuar për këtë sfidë, por ne kemi detyrimin por kombin serb dhe për tifozët tanë të luajmë një ndeshje të mirë dhe të synojmë fitoren. Puna jonë do të jetë e vështirë pasi në Shqipëri mbizotron një atmosferë e madhe për këtë sfidë. Kushtet e sigurisë? Unë nuk kam frikë, vëmendja jonë është e gjitha te fusha e lojës ku do të kemi si objektiv kryesor të japim më të mirën tonë”, ka pohuar i pari.

Kurse sipas mesfushorit të Southamptonit, Dusan Tadic, edhe pse Serbia nuk ka më asnjë shans për t'u kualifikuar në europianin francez, sfida e "Elbasan Arena"-s është një takim që duhet fituar nga skuadra e Radovan Curcic.

“Në karrierën tonë kemi luajtur edhe ndeshje më të rëndësishme se kjo. Fakti që kemi humbur mundësinë për të qenë në Francë, na bën të luajmë pa presion dhe të japim maksimumin për të mundur Shqipërinë. Nuk ndiej aspak frikë për këtë ndeshje, jam i sigurtë se në Elbasan do të luhet një takim i bukur futbolli”, tha ai.

Edhe mesfushori i Cska-së së Moskës, Zoran Tosic u shpreh me tone optimiste përsa i përket një suksesi të mundshëm të Serbisë në Elbasan.

SHKARKO APP