Serena Subania, nëna që humbi të bijën 5-vjeçare: “Në përqafimin e Papës, vajza ime Anxhelika jeton përsëri”

Të gjithë u prekën, më 1 prill 2023, nga dhimbja e Serenës dhe Matteos, të cilët gjatë natës humbën vajzën e tyre të vetme, të prekur nga trisomia 18. Jashtë Gemelli-t, ata takuan Papën Françesku dhe u prekën nga ngrohtësia e tij atërore. “Një përqafim që vlente më shumë se një mijë fjalë – kujton Serena – për ne, çast i pashlyeshëm”, shkruan Radio Vatikani.

“Një zemër e thyer”. Është frazë që Serena Subania e përsërit disa herë gjatë bisedës me mediat e Vatikanit. Nuk ka fjalë tjetër për të shpjeguar atë që ndjen nëna për vdekjen e fëmijës, nuk ka fjalë që mund ta përcaktojë atë – përsëriste shpesh Papa Françesku. Por ka një gjest që ai vetë e bëri për Serenën dhe bashkëshortin e saj Matteo, një ditë pas vdekjes së vajzës së tyre 5 vjeç e gjysmë: Angelica, e prekur nga trisomia 18, vdiq natën e 31 marsit 2023. Qe shtruar në Poliklinikën Gemelli, ashtu si vetë Papa, i cili po largohej nga ai spital për t’u kthyer në Shën Martë pas bronkitit. Gjesti është t’i përqafosh, t’i shtrëngosh fort, të interesohesh për historinë e tyre, jetën e tyre dhe t’i ngushëllosh me një lutje të thënë së bashku dhe një rruzare të dhuruar për ta vazhduar atë brenda mureve të shtëpisë së tyre.

Takim i pashlyeshëm
Dhimbja e pamposhtur gjeti kështu strehë në krahët e Atit. Serena gjithmonë emocionohet kur kujton atë çast i cili sot, pas vdekjes së Papës Françesku, bëhet çelës për të shpjeguar papninë e tij. “Prej tij do të mbetet gjithçka, mësimet e tij, pesha e gjesteve të tij – thotë Serena – ashtu si takimi që pata me të do të mbetet i pashlyeshëm për mua. Me vdekjen asgjë nuk mbaron, dashuria mbetet, si çdo e mbjellë në jetë. Këto janë kujtimet që mbeten dhe vijojnë të na japin forcën për të ecur përpara”.
“Kur takova Papën Françesku dy vjet më parë, ishte sigurisht çast i fuqishëm, në të cilin u ndjeva shumë e mbështetur, shumë e kuptuar dhe shpresoj që me atë përqafim të përhapet edhe mesazhi i mirëseardhjes së jetës”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përqafimi ngushëllues
Serena flet për “humbjen e vetëdijes për shkak të dhimbjes” kur kujton mënyrën se si iu afrua Papës. “Në atë çast nuk i kupton vërtet protokollet, as cila është gjëja më e mirë për t’u bërë: thjesht, ke këtë dhimbje për ta mbartur e nuk di si t’ia bësh”. “Një dhimbje shkatërruese, humbja e një fëmije! Është kundër natyrës, ndaj zemra thyhet. E edhe kur koha kalon, ajo prapë nuk shërohet, thjesht mësohesh të jetosh me të, të ecësh përpara me kujtimet, me gjërat e mira që kanë ndodhur”. Përqafimi bëhet ilaç i plotë. “E përjetova si në spital kur ndanim dhimbjen e sëmundjes së një fëmije si nëna, ashtu edhe në jetën time kur unë dhe burri im përqafoheshim për ngushëllim, duke kujtuar Anxhelikën.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Anxhelika në krahët e Papës
Serena dhe Matteo u takuan me Françeskun tri herë. Në solemnitetin e Corpus Domini në vitin 2019, Papa shkoi në famullinë e Santa Maria Consolatrice në lagjen romake të Casal Bertone, ku takoi familje e fëmijë me aftësi të kufizuara. E ata ishin atje. Serena e mori në krahë Angelikën, më të voglën nga fëmijët e pranishëm. “Më erdhi instinktivisht: në atë çast u krijua një lidhje ndërmjet Papës Françesku dhe Anxhelikës”.
Më pas, takimi në Gemelli, një ditë pas vdekjes së vajzës, e pastaj në studiot e Rai-t tek “A sua imagine”, në një klimë emocionale shumë të ndryshme, por si gjithmonë, intensive. “Me Matteon – thotë Serena – përpiqemi ta kemi Anxhelikën gjithmonë të pranishme ndërmjet nesh, ajo na prin me dritën e saj, me vlerën e saj, me praninë e saj. Sigurisht është e dhimbshme të mos jesh në gjendje ta prekësh, të mos e kesh këtu, por përpiqemi të ecim përpara gjithsesi”.

Besimi është dhurata e Anxhelikës
“Gjithmonë kam pasur dialog me Zotin, jam përpjekur e përpiqem ta bëj jetën time dhuratë dhe mendoj se kjo më ka ndihmuar më shumë. Duke pasur respekt për jetën time, për atë të të tjerëve, respekt për jetën e Anxhelikës e cila, edhe në pak vitet me ne, na mësoi të mos dorëzohemi, të jemi të qëndrueshëm, të durueshëm. Feja – përfundon Serena – u mishërua vërtet në dhuratën e Anxhelikës: e di se tani ajo jeton vërtet në dritë, në paqe dhe shpresojmë që ta ketë takuar përsëri Papën Françesku!”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?