Sërish protesta në Beograd dhe Novi Sad të Serbisë
Në Beograd dhe Novi Sad të Serbisë, në mbrëmjen e së premtes (10 korrik), sërish janë organizuar protesta.
Në Beograd pas orës 19:00 qytetarët filluan të mblidhen para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, pavarësisht faktit se në fuqi është masa e ndalimit të tubimeve të më shumë se 10 personave, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
E njëjta masë është në fuqi edhe në Novi Sad. Protesta në Novi Sad filloi menjëherë pas orës 18. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit mbartën një pankartë me mbishkrimin “Kushdo që të rrah me një shkop, ti i jep një revolucion”.
Disa qindra qytetarë u mblodhën gjithashtu në qendër të Nishit, një qytet në jug të Serbisë. Arsyeja e protestës së parë, të mbajtur të martën, më 7 korrik, ishte njoftimi për shtrëngimin e masave epidemiologjike, siç është vendosja e orës policore.
Por, qeveria serbe nuk e miratoi një masë të tillë. Qytetarët tani thonë se kanë pakënaqësi për sjelljen e shtetit gjatë epidemisë së koronavirusit dhe politikën e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.
Qytetarët po protestojnë edhe për shkak të reagimit të policisë ndaj protestave të mëparshme. Protestat nuk kanë organizatorë. Thirrja për pjesëmarrje bëhet përmes rrjeteve sociale.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin në rrugë dhe të mos mblidhen, për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavisurit.
Në Serbi gjatë 24 orëve janë shënuar 18 viktima nga COVID-19.