Sezoni, Tola: Në pranga 1000 shoferë pa patentë dhe të dehur
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mit’hat Tola ka deklaruar se përgjatë muajt gusht janë kapur 1000 drejtues mjetesh të papajisur me patentë. I ftuar në studion e Report Tv, Tola foli mbi masat e marra nga policia rrugore për shmangien e aksidenteve dhe radhëve të gjata të trafikut, kryesisht gjatë fundjavës. Ai theksoi se policia ka shtuar masat në akset kryesore më të frekuentueshme nga pushuesit, teksa shtoi se në rrugë janë vendosur dronë, çifte biçikletash me policë rrugorë, si edhe radarë.
Duke u ndalur tek aksidentet e ndodhura përgjatë muajit gusht, Tola tha se nga 8 persona që kanë humbur jetën, 6 prej tyre kanë qenë këmbësorë, duke vënë theksin te pakujdesia e këtyre të fundit në kalimin e rrugës apo te mosrespektimi i shenjave rrugore.
“Kemi 10 çifte biçikletash që janë në patrullim për të mos lejuar parakalimin e gabuar. Nga 8 persona që kanë humbur jetën, 6 prej tyre janë këmbësorë. hetimet do të nxjerrin se kush është fajtori, por ky është një tregues që këmbësorët janë të pakujdesshëm. Janë ndaluar 1000 persona që po drejtonin mjetin pa patentë dhe në gjendje të dehur, pra 1000 aksidente të kursyera”. Në fund ai ka zgjedhur që të japë edhe një mesazh drejtuesve të mjeteve. “Ne jemi në rrugë duke bërë detyrën tonë. Duam që ata që shkojnë në plazh të kthehen në shtëpi. Të shkojnë me patentë dhe të kthehen me patentë”, tha Tola.