Sezoni turistik 2015, shtetet që udhëtojnë pa viza drejt Shqipërisë

Një numër shtetesh i shtohen listës së vendeve që përfitojnë nga lehtësimi i vizave me Shqipërinë gjatë sezonit turistik 2015. Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në vendimin për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë. Arabia Saudite, Katari, Omani, Bahrejni, Rusia, Gjeorgjia, Bjellorusia janë vendet, të cilat sipas vendimit, për periudhën përgjatë sezonit turistik 1 qershor-1 nëntor 205, do të lejohen të udhëtojnë në Shqipëri pa viza.

Dokumenti i vlefshëm për këta shtetas është vetëm pasaporta për udhëtime jashtë shtetit. Heqja e vizave më një numër shtetesh, me qëllim lehtësimin e hyrjes së tyre në Shqipëri gjatë sezonit turistik, është një nga masat e realizuara në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2015 dhe lehtësimin e hyrjes së turistëve në vend.

Sipas të dhënave nga operatorët turistikë, viti 2015 shënon një rritje të kërkesave nga turistët, e cila parashikohet të arrijë deri në 20­25% më e lartë krahasuar me një vit më parë. Janë 19 shtete, qytetarët e të cilëve hyjnë pa viza për shkak të liberalizimit të vizave të tyre me zonën Shengen konkretisht Antigua & Barbuda, Bahamas, Barbados, Brunei, Guatemala, Honduras, Kosta Rika, Mauritius, Meksika, Nikaragua, Panama, Paraguaj, Salvador, Seychelles, St. Kitts dhe Nevis, Uruguaj, Venezuela, Makao (China) dhe Moldova. Në rast qëndrimi më shumë se 90 ditë gjatë një periudhë gjashtë­mujore, ata duhet të pajisen me vizë të tipit “D”.

Po ashtu, mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë këtë sezon turistik shtetasit e vendeve të treta të cilët kanë një vizë të vlefshme Shengen me shumë kalime, e cila është përdorur më parë në një nga vendet e zonës Shengen, ose kanë një leje të vlefshme qëndrimi në një nga vendet e zonës Shengen, si dhe kanë një vizë me shumë kalime të SHBA-ve apo Mbretërisë së Bashkuar, e cila është përdorur më parë në një nga këto vende, ose kanë leje qëndrimi të vlefshme në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar.

SHKARKO APP