Sezoni turistik, ankesat kryesore mbeten zhurmat. Dervishaj: Rendi në nivele të kënaqshme
Para se të niste sezoni veror, Policia e Shtetit mori të gjitha masat lidhur me rendin. Policia e Shtetit thotë se nga monitorimi gjatë fundjavës i gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Sarandë, niveli i parametrave të sigurisë paraqitet në nivele të kënaqshme.
“Në një ditë plazhet shqiptare frekuentohen nga më shumë se 200 mijë turistë, dhe lëvizin në ditë 50 mijë automjete ose në një raport javor na rezulton se plazhet janë frekuentuar nga 1.4 milion turistë , shqiptarë dhe të huaj”, shprehet Albert Dervishaj.
Drejtori i rendit, tregon se ankesat e turistëve janë siguria dhe zhurmat. “Ne marrim shumë telefonata nga turistë shqiptarë dhe të huaj në numrin 112. Kryesisht shumica e ankesave lidhen me nivelin e zhurmave”, thotë Dervishaj.
Por krahas mos respektimit të orareve që lejohen për muzikën, ka edhe lokale natë që nuk garantojnë siguri për klientët, si në rastin e Dhërmiut. “Ne nuk kemi mundësi të vendosim në çdo lokal apo biznes polic roje tek dera. Për këtë i kemi kërkuar këtyre bizneseve të marrin masat e nevojshme dhe ata e kanë mirëpritur”, thotë drejtori i rendit.
Duke parë vitin e kaluar fluksin e shtetasve Italian që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar, këtë vit 6 efektivë të policisë italiane do patrullojnë në zonat bregdetare së bashku me kolegët shqiptarë.
Do të jenë 6 punonjës të Policisë italiane që do të patrullojnë krah Policisë shqiptare në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, ku numri i turistëve italianë është më i lartë. Mësohet se ata nuk kanë të drejtë ndërhyrje dhe janë të pa armatosur. Ky është pakti i arritur mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj italiane, me qëllimin për t’iu ofruar një ndihmesë më të madhe turistëve italianë, një marrëveshje që parashikon aktivizimin e patrullave dypalëshe nga 16 korriku deri më 31 gusht, në Durrës, Vlorë e Sarandë.
Sipas njoftimit, agjentët e policisë italiane do të kryejnë patrullime në këmbë, të veshur me uniformë dhe do t’u vijnë në ndihmë operatorëve të policisë shqiptare, për të lehtësuar në këtë mënyrë kontaktet e turistëve italianë me autoritetet shqiptare. Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë gjatë sezonit, Policia e Shtetit ka marrëveshje të ngjashme edhe me Policinë e Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë e Maqedonisë.
KOHA JONË SONDAZH

