Sezoni turistik, ministri Balla: Do të krijohet një strukturë e re brenda Policisë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë me dije se në Policinë e Shtetit do të krijohet një Forcë Kombëtare për Sigurinë Publike. Ajo do të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike për mbi 10 mln turistë.
“Me Policinë e Shtetit kemi filluar në fakt përgatitjet, për t’i dalë përpara nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Unë e di shumë mirë se policia lokale e Sarandës për shembull e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit.
Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë PLUS. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.