Sezoni turistik në Pogradec, bashkia: Më shumë hapësira publike
Bashkia e Pogradecit ka reaguar ndaj pretendimeve se në vijën ranore të liqenit nuk janë lënë hapësira të mjaftueshme për plazhe publike dhe se një pjesë e tyre po u jepet subjekteve private. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, bashkia i cilësoi këto pretendime si të pavërteta, duke theksuar se gjatë viteve të fundit është punuar për zgjerimin e sipërfaqeve publike në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve. “Nuk është aspak e saktë që hapësirat e plazhit publik janë cunguar apo tjetërsuar për të favorizuar subjektet private. Përkundrazi, Bashkia Pogradec ka punuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, për rritjen e sipërfaqeve publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve”, thuhet në reagimin e bashkisë.
Sipas institucionit vendor, në segmentin e plazhit ranor nga Hoteli “Enkelana” deri tek banjat publike janë përcaktuar pesë hapësira publike. Bashkia sqaron se nga 185 metra linearë plazh në total, 92.5 metra janë plazh publik, 82.5 metra plazh privat dhe 10 metra janë të dedikuara për varkat me pedalina. “Siç tregojnë qartë shifrat, sipërfaqja publike është më e madhe se ajo private, edhe pse bëhet fjalë për një nga zonat më të kërkuara nga operatorët turistikë gjatë sezonit veror”, nënvizon bashkia.
Në reagim theksohet gjithashtu se, përveç këtyre hapësirave, në zonën e njohur si “Konti” funksionojnë të paktën tre plazhe të tjera publike, ndërsa plazhi i Uçkave është tërësisht publik. Sipas bashkisë, edhe një pjesë e konsiderueshme e vijës ranore në drejtim të Drilonit mbetet e lirë për përdorim nga qytetarët dhe vizitorët.
Bashkia e Pogradecit vë në dukje se ka qenë ndër të parat në vend që ka ofruar çadra falas në plazhet publike, ka krijuar infrastrukturë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara dhe ka investuar në përmirësimin e kushteve për pushuesit. “Raporti mes hapësirave publike dhe atyre private është përmbysur në favor të publikut. Kjo është një arritje konkrete, e cila shihet çdo ditë nga qytetarët dhe mijëra pushues që zgjedhin Pogradecin si destinacionin e tyre turistik”, përfundon reagimi i bashkisë.
KOHA JONË SONDAZH

