Sezoni veror, Kumbaro: Baret e plazheve do marrin leje të posaçme nga Këshilli Kombëtar i Territorit
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka mbledhur Task Forca e turizmit, në vijim të punës që ka nisur që në tetor për përgatitjet e sezonit. Kumbaro vuri theksin në bashkëpunimin e të gjitha instancave shtetërore për mbarëvajtjen e sezonit, duke njoftuar edhe nisjen e një aksioni final me ndihmën e ushtrisë në dhjetë ditët e fundit të muajit maj.
Ministrja pohoi edhe se strukturat e përkohshme të shërbimit, të quajtura ndryshe si “beach bar” kanë kaluar nën filtrin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe janë publikuar lejet për to.
“Për sa i përket strukturave të përkohshme të shërbimit, këtë vit është bërë maksimumi nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili ka miratuar të gjitha lejet e beach-bareve në koordinim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkive, duke i publikuar ato edhe online.
Kjo është hera e pare që ndodh. Nga ana tjetër, për menaxhimin e stacioneve të plazheve nga subjektet private kishim 540 aplikime të kualifikuara, por 24 rezultojnë se nuk kanë shlyer detyrimet tatimore. Për këtë shkak, siç e kemi njoftuar që në janar, nuk do t’u lidhet kontrata. Të gjithë kanë edhe detyrimin për të pasur rojen bregdetare dhe për këtë do të ketë kontrolle”.