Sezoni veror? Operatorët: Çfarë presim nga plani B i Qeverisë

Në këtë kohë të pandemisë, ku lufta është e fortë me virusin vdekjeprurës, operatorët turistikë thonë se sektori i turizmit është më i dëmtuari në Shqipëri, sikurse edhe në botë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas Besnik Vathit, kryetar i shoqatës së Tur Operatorëve, ringritja do të marrë kohë, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për dëmin e shkaktuar gjatë periudhës së karantinës.

”Duke qenë se bëhet fjalë për një sektor me sezone, ky sektor e ka pothuajse të dëmtuar tërësisht. Goditja ndaj të punësuarve është normale në kushtet kur goditet industria. Është e pamundur të mbajë të punësuarit në një kohë ku akoma nuk ka shpresë se do të ketë një ringritje”, tha në A2 Business Week. Kërkesat e turizmit nuk janë reflektuar në planin e masave të qeverisë.

”Në planin e deritanishëm është përfshirë vetëm biznesi i vogël. Duhet të kuptojmë që në Shqipëri sektori i turizmit nuk përfshihet te biznesi i vogël. Edhe pse xhiron e ka të madhe, marxhën e fitimit e ka të ulët. Dhe me fitimet qe realizon e ka të pamundur të mbijetojë. Punonjësit vërtet janë larguar, por nëse do të ketë një shpresë dhe një plan B, ata do të thirren menjëherë. Këtu nuk bëhet fjalë që janë biznese që mund ta përballojnë me kredi. Është e pamundur që ky sektor të investojë dhe të marrë borxh për të dhënë paga në një kohë kur nuk dihet a do të ketë sezon veror, apo lëvizje turistike”.

Çfarë presin operatorët turistikë nga plani B? 

”Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë për punonjësit e pezulluar nga puna. Pastaj të fillohet me planin B, siç janë kreditë me interesa të ulëta, ose zero, të cilat jo thjesht do të mbajnë njerëzit në punë, por do të mbajnë edhe peshën për periudhën e ringritjes. Natyrisht edhe përllogaritja e taksave mbi fitimin apo edhe incentiva të ndryshme që kjo ekonomi jo vetëm të përballojë humbjen e madhe të një vitit të tërë, por të fillojë të rigjenerojë të ardhura për në vjeshtë”, tha Vathi.

SHKARKO APP