“Sfida” në timon- Cili është qarku me 0 aksidente rrugore në 2020?

Berati është qarku që ka shënuar zero aksidente rrugore në këtë periudhë të parë të vitit, saktësisht në janar-shkurt 2020. Në fakt, ky qark, edhe përsa i përket janar-shkurt 2019 ka pasur një numër të ulët të aksidenteve rrugore, me vetëm 2 të tilla.

Sipas të dhënave të Instat, në total numri i aksidenteve rrugore ka qenë më i ulët në këto 2 muaj të parë të 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për janar- shkurt 2020, numri i aksidenteve rrugore ka qenë 106, në një kohë që për të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, ky numër u shënua 125 në të gjithë Shqipërinë.

Nga ana tjetër, referuar Instat, ajo që vihet re është se edhe në qarkun më të populluar të vendit, atë të Tiranës, është vënë re një “ndërgjegjësim”, qoftë ky një atribut i sjelljes së shoferëve, këmbësorëve, apo thjesht një “rastësi e fatit”. Në janar-shkurt 2020, qarku i Tiranës ka pasur 7 aksidente më pak, pasi për këtë periudhë të 2019, numri total i aksidenteve rrugore ishte 58, ndërsa në janar-shkurt 2020, janë shënuar 51 aksidente rrugore.

Më pak aksidente rrugore janë shënuar edhe në qarkun e Durrësit, ku nga 14, numri ra në 11, në qarkun e  Vlorës, ku nga 9 aksidente në janar- shkurt 2019, numri ra në 3 për të njëjtën periudhë të 2020, apo në qarkun e Lezhës, ku nga 11 aksidente rrugore në 2 muajt e parë të 2019, numri ra në 6, për 2020. Ndërkohë, nga ana tjetër, sipas Instat qarku me rritjen më të ndjeshme të aksidenteve rrugore në janar-shkurt 2020 ka qenë ai i Dibrës, ku nga 1, numri shkoi në 6.

/ SCAN

SHKARKO APP