Sfidat e kandidatëve të Tiranës, flet Najada Çomo: Një vit plot mund e dhimbje
Paneli i dytë i kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë, prezantuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj ishin Najada Çomo, Alket Pëllumbi, Fidel Ylli, Plarent Ndreca, Romina Kuko e Halit Valteri. Veliaj ka zbuluar për secilin prej tyre sfidat që i kanë shoqëruar përgjatë rrugës së tyre profesionale, në familjen politike, ashtu sikurse edhe detaje ende të panjohura për publikun rreth jetës private, apo familjare.
Najada Çomo, e vendosur e dyta në listën e Partisë Socialiste ka ndarë në këtë rrëfim momente që të gjithë mund t’i kemi imagjinuar por pakkush i ka përjetuar në spitalet Covid. “Është e dhimbshme për ata që janë brenda, për ata që janë jashtë është e perceptuar dhimbshëm, sepse kur nuk e sheh fare, natyrisht mendon jo vetëm vuajtjen, por edhe mënyra si trajtohen ata njerëz, por me sinqeritet në kaq kohë sa jemi aty, atyre njerëzve përveç punës iu kemi ofruar edhe pjesën e dashurisë humane,” u shpreh Çomo duke shtuar se kjo nuk ka munguar edhe kur vetë ata kanë humbur njerëzit e dashur nga kjo sëmundje. “Kolegeve tona u kanë ndërruar jetë prindërit në spital dhe u është dashur të jenë në punë përsëri të nesërmen, të pasnesërmen dhe t’u shërbejnë kujtdo,” tha më tej Çomo.
Për Plarent Ndrecën, i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë në administratë, sfida më e madhe me të cilën është ndeshur ka qenë reforma në arsimin e lartë. “Momenti më i vështirë e sfidues ka qenë mbyllja e universiteteve, një proces që ka zgjatur 6 muaj në mënyrë që të bënim një filtrim të institucioneve të cilat jo vetëm kishin shkelur ligjin, por kishin abuzuar. Mbaj mend faktin që ishte e njëjta administratë që ne gjetëm, ajo që e kishte nisur këtë proces – kjo është shumë e rëndësishme për ta thënë e për të kuptuar se ç’do të thotë frymë dhe vullnet për t’i bërë gjërat, – por rrinte deri në 2 të natës për të filtruar, sepse, le të kujtojmë faktin që vetëm një prej atyre universiteteve bënte një xhiro prej 5 milion eurosh në vit, me shumë lidhje e me shumë presione, por me mbështetjen e Kryeministrit personalisht, ministres dhe një grupi fantastik ia dolëm dhe vendosëm një standard tjetër në këtë pikë” u shpreh Ndreca.
Romina Kuko ka rrëfyer sfidat e reja si kryetare e Këshillit Bashkiak por të lidhura ngushtë me interesat e qytetarëve. “Ajo që sheh kur ke një përgjegjësi në vizionin makro është përgjegjësi e të bërit gjënë e duhur në mënyrë të unifikuar. Edhe vendimet, si në rastin e pandemisë vjet, ku vjet kemi bërë një punë fantastike për pjesën e taksave të bashkive, për pjesën e kalimit të ushqimit të kopshteve dhe çerdheve për të kaluar pranë komunitetit dhe gjithmonë ajo që na ka orientuar dhe na orienton bashkërisht është interesi publik dhe e mira e përgjithshme. Nganjëherë duhet të sakrifikosh gjërat mikro, për t’i shërbyer interesit të gjerë publik dhe asaj që kanë realisht nevojë qytetarët. Fakti që ti mendon për qytetarët, për interesin publik ne nuk kemi më ato bashki që paguanin rrogat e qytetarëve, por kemi bashki që janë të orientuara drejt shërbimeve, drejt komunitetit, drejt asaj ç’ka mund t’i ofrojnë qytetarëve,” tha Kuko.
Deputeti ndër më të vjetrit e parlamentit shqiptar, Arben Pëllumbi iu rikthye fillimeve të tij në Partinë Socialiste. “Erdhi si një alternativë kundrejt një fryme të re që kishte lindur. Sigurisht, nuk ishte e thjeshtë! Përfaqësonte brenda si energjinë për të bërë një gjë ndryshe, ashtu edhe idealizmin dhe në të gjithë ato vite u ndërtua pikërisht e tillë. Në përgjithësi, edhe elektorati i asaj periudhe ishte krejt ndryshe nga ky i sotmi. Sigurisht shoqëria është zhvilluar, ka ecur, ana ekonomike është rritur, pavarësia është rritur, mundësia për të lëvizur është rritur, pra, siç ka lëvizur edhe elektorati, edhe PS në të njëjtin drejtim,” tha Pëllumbi duke shtuar se PS do luftojë për një rezultat më të mirë se në zgjedhjet e fundit. “Është në një mënyrë e sigurt, që ne do jemi mbi 71 mandate dhe nuk është thjesht llogaritje matematikore, por është perceptim që ne ndiejmë në jetën e përditshme, në takimet që kemi, jo vetëm me strukturat tona por edhe me njerëzit e thjeshtë të cilët nuk militojnë në PS”.
Fidel Ylli, deputeti që i ka kushtuar pothuajse gjithë jetën e tij politike sportit tha se ndihet krenar që më në fund një qeveri ka bërë vërtet për sportin. “Sporti ka qenë një pjesë ku të gjithë qeveritë kujtoheshin vetëm kur kishte ndeshje futbolli, kur vinte Anglia, Franca, apo ndonjë ekip tjetër evropian dhe kërkonin një biletë në stadium. Unë mendoj që për herë të parë, qeveria jonë, Edi Rama ka bërë për sportin atë që nuk është bërë në 100 vite shtet shqiptar. Ta them me prova dhe me fakte. Është bërë stadiumi i Elbasanit, stadiumi i Shkodrës, Arena Kombëtare, Qendra Olimpike në Tiranë, është bërë Qendra Olimpike e Korçës, janë bërë mbi 100 palestra në të gjithë Shqipërinë, janë bërë gati 31 milion euro në këto 8 vjet, kurse PD në 8 vjet qeverisje ka investuar 80 mijë dollarë për sportin,” tha Ylli.
Ndërsa Halit Valteri, deputeti që i është bashkuar vetëm së fundmi Partisë Socialiste e tashmë garon në Kamëz tha se shembulli për tu ndjekur është Tirana. “Ju them të gjithëve, ta bëjmë Kamzën një qytet si Tirana, sepse Kamza është Tirana, jemi vetëm 6 kilometër larg dhe Kamza do jetë një Tiranë e dytë,” tha Valteri.