Sfumohet aksioni i Prokurorisë dhe Policisë për ARRSH Durrës, Gjykata liron tre prej të arrestuarve

Gjykata e Durrësit ka liruar nga qelia tre prej të arrestuarve, zyrtarë në ARRSH Durrës.

Togat e zeza vlerësuan masat e sigurisë, dhe vendosën për:

-Agron Hasa “arrest në shtëpi”, Kastriot Braha “detyrim paraqitje” , Leke Tushaj “detyrim paraqitje”.

Zyrtarët së bashku me gjashtë kolegë të tyre akuzohen për shpërdorim detyre.

Sipas Prokurorisë ata kanë dhënë leje në mënyrë të paligjshme, për një karburant në kilometrin 3, në aksin Plepa-Kavajë.

Në lidhje me këtë çështje, janë shpallur në kërkim edhe 6 të tjerë, mes tyre edhe biznesmeni i karburanteve Mustafa Koka.

Mësohet se nga hetimi ka rezultuar se karburanti i shtetasit Mustafa Koka, dyshohet se është ndërtuar dhe ka marrë leje ne kundërshtim me ligjin, por shkeljet janë gjetur edhe tek hyrja dhe dalja e këtij biznesi, si dhe zhvendosja e mbikalimit të këmbësorëve.

Sipas prokurorisë vendosja e pikës së karburantit është kthyer në pikë rreziku në vendin ku ndodhet, si edhe nuk i plotëson në mënyrë të sigurt kërkesat e sigurisë rrugore për qarkullimin e mjeteve.

Duket se Gjykata nuk është bindur për fajësinë e tre personave, edhe pas parashtrimit të Prokurorisë, të cilët janë liruar ditën e sotme./abcnews.al

SHKARKO APP