Shabani: Të gjithë i kemi provuar, duhet ndryshuar sistemi
Endri Shabani, një nga drejtuesit e nismës “Thurje”, deklaroi në studion e Ditari në A2 se “pa një sistem zgjedhor që përcakton se kush dhe si do të vijë në pushtet, nuk funksionon asgjë”. “Kjo është kërkesë e qytetarëve. Sistemi zgjedhor është një institucion i menaxhimit të vendit, është truri. Pa një sistem zgjedhor që përcakton se kush dhe si do të vijë në pushtet, nuk funksionon asgjë. Ne mendojmë se propozimi ynë për ndryshimin e sistemit zgjedhor zgjidh shitblerjen e votës dhe rolin që kanë “baronët” lokalë që i imponohen partive politike. Ne propozojmë që këto zona zgjedhore të jenë në nivel kombëtar, që do të thotë se grupit kriminal i duhet të marrë vota në të gjithë Shqipërinë, nuk i bëjnë më punë vetëm 15 000 vota”, deklaroi Shabani.
“Ne kemi parti autoritare, ku kryetari ka në dorë karrierën politike të çdo deputeti. Ai që voton për interesin e qytetarëve, nuk do të jetë më në listë”, shtoi Shabani. Sipas tij ndryshimi i sistemit duhet të kalojë përmes Parlamentit. “Ne besojmë se mund t’i ushtrojmë presion politik dhe publik Parlamentit që të ndryshojë sistemin. Besoj se qytetarët kur janë të bashkuar për diçka, ia dalin. Kushtetuta nuk ka pse mos të ndryshohet sepse më parë është ndryshuar për 24 orë për çështje pazaresh. Ajo që është bërë për 30 vite është loja ky është i keqi, unë jam i miri. Të gjithë i kemi provuar dhe situata ka mbetur po njësoj. Sistemi i sotëm, edhe të ndershmin po të vendosësh në krye, do të ishte në presion të vazhdueshëm nga grupet kriminale. Edhe një i ndershëm është i kërcënueshëm. Ajo që ne propozojmë është jo ndryshim emrash, por ndryshim rregullash të lojës”, theksoi Shabani.
Kur u pyet nëse në të ardhmen nisma “Thurje” do të prezantohet si subjekt politik, Shabani u përgjigj: “Ne jemi aktorë politikë, nuk po synojmë të bëjmë ndryshime kulturore, por politike. Për mua është e parëndësishme telenovela se kush iku e kush erdhi. Duhet të artikulojmë ide e zgjidhje dhe debati duhet fokusuar te kjo. Kthimi i politikës në telenovelë është kohë e humbur nga artikulimi i problemeve të qytetarëve”.