Shabanolamija dhe epoka digjitale në Hipoteka!
-Shkruar nga Jonida Halili-
Para pak ditësh takova një përsonalitet të kulturës në Shqipëri, isha dhe unë duke aplikuar online për diçka private, edhe ai. Emrin nuk po e them për shkak se ai mbetet vertetë personalitet në fushën e artit.
-Kërkova me insistim të takoja Dallëndyshe Bicin, e madhja e Hipotekave- fillon të më sqarojë ai.-Më priti, ofroi një kafe dhe më pyeti se ça mundimi më kishte çuar aty, te ajo. I thashë se kam vite e vite për një problem mbivendosje pronash në Tiranë.
-E zgjidhshme- tha Bici- direkt te platforma online, te e-albania ose te një noter. Mos u mundo më për të ardhur. Më dha një djalë që më sqaroi më tej në zyrën e tij dhe ika.
Ika me mendimin se kisha që në kohën e Shaban Memisë pa e zgjidhur. Shkoja, më prisnin me fjalë të bukura, ikja, shkoja prapë dhe përherë me thonin “Do bëhet, ik, pa merak. Ti ke bërë libra të mirë për këtë vend!”.
-Hej bela, thoja me vehte. Unë dua tapinë e këta më përmendin librat. Asnjë libër nuk kanë lexuar në jetën e tyre, ata- me tha plot mllef shkrimtari – Dhe kështu vazhdova për vite e vite. Tani po aplikoj, por të shoh a do të më presin prapë duke me thënë “Ti ke bërë libra të mirë për këtë vend!” dhe rrahje shpatullash, një kafe dhe pa mbaruar punë!- foli miku im.
Ika, por pas pak ditësh e takova emrin e njohur, prapë te kafja e tij e lagjes. E pyeta për filmin e ri që po bën namin “Në kuadër të Dashurisë”, me procudent Ledion Liço. Foli mendimet e tij dhe nuk durova, e pyeta: Ky online të mbaroji punë apo…?!
-Po! Pas shumë vitesh e mora të drejtën time. Do ti shkojë prapë asaj zonjës Bici. Ta falenderoj- tha dhe i mora edhe disa shënime për filmin ku luan Luiz Ejlli dhe Gerta Gixhari.
U interesova për të bërë një shkrim me mënyrën e re të teknologjisë që po përdor Agjensia Shtetrore e Kadastrës.
Nga 3 korriku 2023, ndryshoi sistemi për shqyrtimin e aplikimeve të individëve dhe bizneseve për ofrimin e shërbimeve në kadastrën e pronave. Shërbimi në kadastër prej fillimit të muajit korrik ofrohet vetëm nëpërmjet aplikimeve online nga zyrat noteriale dhe e-Albania.
Mimoza Sadushi, kryetare e dhomës së noterëve, thotë për “Monitor” se “ndërmarrja e kësaj reforme ishte e domosdoshme me qëllim luftimin e korrupsionit dhe eliminimit të radhëve në ofrimin e shërbimeve në Kadastër”.
Kishte shumë korrupsion, duhej mik dhe lekë që të mbaroje punë. Kishte sigurisht edhe punonjës korrekt, por miku ”çante detin” në hipotekë, historikisht kjo ka ndodhur.
Në jo pak raste nëse nuk doje të prisje në radhë apo të rrije në vite, asokohe, lëvizte paraja nën dorë, ndryshe nuk kishe shumë shanse.
Më parë, qytetarët dhe bizneset mund të paraqiteshin në zyrat e Hipotekës dhe aplikimet mund t’i kryenin nëpërmjet sporteleve pritëse për aplikimet nga Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA).
Tani jo, aplikon online.
Edmond Arizaj, drejtor i zyrës së shtypit në Agjencinë Shtetërore e Kadastrës thotë se pavarësisht fluksit të lartë të kërkesave, të cilat trajtohen sipas radhës, procesi i ri nuk ka asnjë problem. “Sistemi funksionon mirë. Po e tregon çdo ditë. Puna është maksimale”. Ai sqaroi se pas riinxhinierizimit të sistemit u mbyllën kontaktet fizike. “Asnjë aplikues, apo sekser, nuk gjen më dot mik në ASHK”- shton Arizaj.
Iku koha e Shabanolamisë!
Pse unë them që Kadastra po ecën si askurrë më parë në gjithë këto vite? Pikësëpari, Dallëndyshja ende pa ngritur “fole”, nisi të sulmohej egërsisht nga shumë anë. Ajo për pak kohë kishte nisur të prishte shumë interesa, pazare, lojëra me letra tokash që vidhnin nën petkun e “mungesës së dokumentave”, kur ato ishin aty në dosje. Dhe nga sulmet dukej se ishin interesa fort të mëdha pronash, ku rrinin pas tyre politikanë dhe njerëz me rrjete kriminale. Dallendysja po prishte lidhje të krijuara në vite. Po shpërbënte mekanizma korrupsioni dhe po godiste klientë të perhershëm të Kadastrës. Duke e kthyer shërbimin e këtij institucioni tek njerëzit.
Do thoni ju, pse pikoi nga qielli kjo Dallëndyshja? Jo nuk pikoi nga qielli, por vendosi të ndryshojë sistemin. Pikërisht atë sistem që ishte bërë gangrenë e korrupsionit. Ata, pra specialistët e kadastrës e quajtën “riinxhinierizim i sistemit”. Me pak fjalë, qytetari bën aplikimin, algoritmi e përzgjedh se kush specialist në gjithë Shqipërinë e përpunon dhe pastaj qytetari merr përgjigje. Pra qytetari, apo sekseri, apo noteri, apo deputeti, apo ministri apo kushdoqoftë, nuk e di se cilit specialist do t’i bjerë në qafë, apo t’i japë “zarfin” poshtë tavolinës. Thjesht do presë rradhën.
Teknologjia që futi largoi zarfat, largoi korrupsionin. Nuk ha euro kompjuteri tani! Dikur po, ishte dora nën tavolinë që lëvizte zarfa, interesa, etj.
E meqë ra fjala tek radha, sistemi nuk lejon që një aplikim të kalojë pa rradhë. Ndërhy sa të duash! Kap miq, e fut zarfa, duhet të jesh Haker IT që të rrëzosh sistemin.
A besoj unë që është zhdukur korrupsioni? Jo, por ama në gjithë këto dallgë akuzash për shumë emra dhe institucione, Dallëndyshja për muaj me rradhë u akuzua për “vonesa në përgjigje aplikimesh”, ndërkohë që dikur akuzat për korrupsion ishin të përditshme. Këtu ka një ndryshim thelbësor. Apo ato arkivat e hartave që u bënë meme dikur, e që sot me ç’duket gjithçka po sistemohet si kurrë më parë. Apo digjitalizimi i pronës, që me kalimin e kohës do të nxjerrë edhe plot “gjëma” që janë bërë në kurriz të shqiptarëve dhe pronave të tyre.
Digjitalizimi i plotë, sepse po punohet fort në këtë drejtim, do të nxjerrë prona që nuk janë prona të atyre që kanë marrë certifikata pronësie në kurriz të njerëzve të thjeshtë.
Dallendyshe Bici e ka shansin të hyjë në historinë e hipotekave, duke aplikuar teknologjinë dhe duke dërguar në prokurori apo në SPAK emra politikanësh, ku familjet e tyre janë bërë pronarë tokash dhe zonash, sidomos bregdetare.
Informacionet vijnë se një dosje po përgatitet me emra të tillë!