Shahini jep lajmin e keq për maturantët: Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen

Në komunikimin e radhës, Ministrja Besa Shahini ka adresuar një sërë pyetjesh të ardhura këto kohë nga maturantët.
Përsa i përket përmbatjes së provimit të sivjetshëm të maturës, Shahini njofton se duke filluar nga data 4 maj do të ketë komunikime të përditshme nga ana e Znj. Rezana Vrapi, drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) mbi elemente dhe detaje të ndryshme të këtij provimi. Ndërkohë, ajo shprehet se “paralelisht, platforma akademi.al ka xhiruar pyetje dhe zgjidhje të detyrave për provimet kryesore në matematikë dhe shkenca, të cilat do t’i transmetojnë në RTSH. Kështu që, jam e bindur që sivjet do të jeni më të përgatitur se kurrë më parë për të bërë provimin e maturës”.

Në video-mesazh, Ministrja Shahini cek edhe një element të rëndësishëm përsa i përket rikthimit në shkollë më 18 maj të maturantëve, duke sqaruar se:
“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”.

Ndërkohë, pyetjes së “nëse do të ketë mbrëmje të maturës sivjet”, ajo përgjigjet: “Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”.

SHKARKO APP