SHBA-BE kritikojnë ndalimin e importeve serbe nga Kosova
Raporti i këtij viti i departamentit amerikan të Shtetit për klimën e të bërit biznes në Kosovë dhe Raporti i Progresit për Kosovën i vitit 2023 kritikojnë ndalesën e importit të mallrave serbe duke vlerësuar se ajo është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe se ka “shkaktuar konfuzion të madh tek importuesit dhe ka ndikuar negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjes në zinxhirin e furnizimit”.
Diplomatë gjermanë të angazhuar për Ballkanin dhe ekspertë të çështjeve të integrimit evropian dhe ekonomisë, po i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.
Qeveria e Kosovës ndali importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore.
Gjatë një vizite në Kosovë në fund të muajit të kaluar i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i kërkoi qeverisë heqjen ndalëses duke theksuar se ajo është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, të njohur si CEFTA, ku bën pjesë edhe Kosova krahas pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.
Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj – me fusnotë dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), siç është aktualisht.
Pas vizitës, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, në një postim në rrjetet sociale tha se “nëse është e nevojshme vendet e tjera të Ballkanit do të vazhdojnë përpara pa Kosovën me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”.