SHBA, fillojnë ceremonitë përkujtimore për ish-presidentin Jimmy Carter

Gjashtë ditë ceremoni përkujtimore për ish-presidentin amerikan të ndjerë së fundmi, Jimmy Carter, filluan në shtetin e Xhorxhias.

Ceremonitë përkujtimore përfshijnë një shërbim të shkurtër në shtëpinë e fëmijërisë së Carter në Plains, një autokolonë në Atlanta, një moment heshtjeje në Capitolin e Shtetit dhe një ceremoni mbërritjeje dhe shërbim në Qendrën Presidenciale ”Carter”.

Atje ai do të prehet deri të martën.

Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare i rrethuar nga familja e tij në Plains.

Pas përfundimit të presidencës së tij, ai dhe gruaja e tij Rosalynn themeluan qendrën ”Carter” në Atlanta për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin ekonomik.

Rosalynn, me të cilën ishte i martuar për 77 vjet, u nda nga jeta pak më shumë se një vit më parë.

Carter drejtoi qeverinë amerikane nga viti 1977 deri në vitin 1981.

Në vitin 2002, atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe për “përpjekjet e tij prej dekadash për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare”.

Ceremonitë do të përfundojnë të enjten me një funeral shtetëror në Uashington dhe një varrim privat në Plains.

Presidenti aktual Joe Biden, i cili ashtu si Carter është një demokrat, urdhëroi që flamujt të qëndrojnë në gjysmështizë për 30 ditë.

Kjo do të thotë se flamujt do të jenë në gjysmështizë më 20 janar, ditën e betimit të Donald Trump, diçka për të cilën republikani ka shprehur publikisht zemërimin e tij./ a.jor.

SHKARKO APP