SHBA-Iran negociata të tjera mbi programin bërthamor javën e ardhshme

Irani dhe SHBA-ja do të zhvillojnë më shumë negociata javën e ardhshme lidhur me avancimin e shpejtë të programit bërthamor të Teheranit, njoftoi televizioni shtetëror iranian në fund të raundit të parë të bisedimeve midis dy vendeve – që kur presidenti, Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, sipas AP.
Transmetuesi shtetëror i Iranit zbuloi se i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi “folën shkurt” së bashku – hera e parë që të dy vendet e bëjnë këtë që nga administrata e Obama-s.
Deklarata e Teheranit se të dy palët folën ballë për ballë – edhe pse shkurt – sugjeron që negociatat shkuan mirë edhe për televizionin shtetëror iranian, i cili është kontrolluar prej kohësh nga linjat e ashpra.
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën pasdite, Shtëpia e Bardhë i përshkroi diskutimet si “shumë pozitive dhe konstruktive”, ndërsa pranoi se çështjet që duhet të zgjidheshin ishin shumë të ndërlikuara.
“Komunikimi i drejtpërdrejtë i të dërguarit special Witkoff sot ishte një hap përpara në arritjen e një rezultati reciprokisht të dobishëm”, tha Shtëpia e Bardhë.
Trump u tha gazetarëve në “Air Force One” ndërsa po fluturonte për në Miami për një ngjarje UFC se bisedimet po shkonin mirë.
“Nuk mund t’ju them sepse asgjë nuk ka rëndësi derisa ta kryeni atë, kështu që nuk më pëlqen të flas për të, por po shkon mirë. Situata në Iran po shkon shumë mirë, mendoj,” tha ai.
“Raundi tjetër i bisedimeve do të zhvillohet të shtunën”, më 19 prill, sipas deklaratave iraniane dhe amerikane.
Raund i parë i bisedimeve nisi dje rreth orës 15:30. Të dyja palët folën për më shumë se dy orë në një vend në periferi të Muscat, kryeqyteti i Omanit, duke i dhënë fund bisedimeve rreth orës 17:50. //a.i/ ATSH